Sot u mbushën 6 muaj të ndarjes nga jeta të qytetares durrsake, Menduha Ulqinaku, por kujtimi për të vazhdon të jetë i pranishëm, jo vetëm tek familjarët e saj, por dhe miqtë, kolegët, shoqet dhe qytetarët që e kanë njohur apo i ka lidhur puna me të.

Sepse, zonja e nderuar, me thjeshtësinë, sjelljen, qetësinë, urtësinë, komunikimin dhe dashamirësinë për njerëzit, ka fituar respektin e qytetarëve durrsakë.

Menduhaja u lind më 24 shkurt 1951, në një familje të thjeshtë durrsake. Prindërit e saj ishin punëtorë, zanacinj, të urtë e të përkushtuar mbas fëmijëve të tyre, për ti dhënë një edukatë e arësim të mirë, ashtu si mjaft familje durrsake.

Ata u përpoqën me të gjitha mundësitë që fëmijët e tyre të arsimoheshin normalisht, pavarësisht vështirësive të kohës.

Dhe Menduhaja e justifikoi plotësisht besimin, mundin dhe sakrificën e prindërve të saj, duke i kaluar gradualisht shkallët e arsimit të kohës.

Kështu, mbasi përfundoi gjimnazin “Naim Frashëri” me rezultate të larta në vitin 1969, ajo vazhdoi studimet në Fakultetin Ekonomik, Dega Kontabël, në Universitetin e Tiranës, të cilin e përfundoi në vitin 1974.

Durrësi i asaj kohe kishte shumë nevojë për financiere, dhe Menduhaja filloi menjëherë punë tek ndërmarja BAtKop, në port, ku shfaqi cilësitë dhe aftësitë më të mira si financiere e re. Korrekte me kolegët dhe eprorët, sistematike, zgjidhte në kohë detyrat që i caktoheshin, ajo u rrit profesionalisht nga dita në ditë. Puna e saj është vlerësuar jo vetëm nga drejtuesit, por në radhë të parë nga stafi e kolektivi i kësaj ndërrmarje.

Më pas Menduhaja punoi për disa vite shefe Finance në NN Porti, ku dhe këtu spikatën cilësitë e saj si nënpunëse model, kërkuese dhe korrekte në detyrën e saj.  Ajo e donte profesionin e financieres dhe donte ta transmentonte tek brezi i ri.

Në vijim, krahas punës, Menduhaja tha mësim lëndën e financës në shkollën e mbrëmjes “Eender”. E lidhur fort me profesionin, të cilin e perfeksiononte vazhdimisht nëpërmjet studimeve dhe eksperiencës së saj, Menduhaja nga viti 1999, hapi zyrën e saj private “Kontabël i miratuar M.Ulqinaku”, ku punoi derisa ndërroi jetë.

Menduhaja ishte jo vetëm një ekonomiste e zonja, por dhe një grua, bashkëshorte dhe nënë shembullore. Bashkëshorti i saj, detari i vjetër, kryemekanik në disa anije të Flotës sonë Tregtare, Serjan Ulqinaku, ndihet me fat që jeta e lidhi me këtë zonjë të nderuar. Me punë e djersë, çifti Ulqinaku, rriti, edukoi dhe arsimoi në universitete prestigjioze tre vajzat të mrekullueshme, që trashëgojnë cilësitë më të mira nga prindërit.

Në këtë ditë të kujtesës për nënën e tyre, në 6 mujorin e ndarjes së saj nga jeta, teksa marrin ngushëllimet për nënën e tyre të dashur, ato ndihen krenare për gjithçka që iu la trashëgëmi nëna Menduha.

Miqve dhe të njohurve të saj, i duket sikur shohin Menduhanë duke bërë bilancin e radhës në kompjuterin e saj, pranë dosjeve të shumta, ku ajo qëndroi deri ditën e fundit të jetës.

Ndërkohë janë qindra qytetarë durrsakë që do ta nderojnë në vite jetën dhe veprën e Zonjës Menduha Ulqinaku.

I paharruar qoftë kujtimi i saj!

Shefqet Kërcelli