Gjatë vitit 2020 Shqipëria rezultoi vendi i pestë në Europë për normën e më të ulet të lindshmërisë. E prekur edhe nga normat e larta të emigracionit, popullsia e Shqipërisë ka hyrë në një proces plakje të shpejtë duke u shndërruar në një problem madhor për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. Gjatë vitit 2020 sipas Eurostat, Shqipëria pati vetëm 1.32 lindje të gjalla për grua me rënie 0.2 në krahasim me vitin 2019, duke lënë pas vetëm, Maltën, Spanjën, Italinë dhe Maqedoninë.
Në vitin 2020, 4.07 milionë foshnja lindën në BE, duke vazhduar një trend në rënie që filloi në vitin 2008 kur lindën 4.68 milionë fëmijë në BE, ndërsa në Shqipëri trendi i rënies ka vijuar më shpejtësi pas vitit 1990. Norma totale e lindshmërisë ishte 1.50 lindje të gjalla për grua në BE në vitin 2020, një rënie e vogël nga kulmi i fundit në 2016 (1.57), por gjithsesi një rritje krahasuar me 2001 (1.43). Shkalla më e lartë e lindshmërisë totale që nga fillimi i serive kohore të krahasueshme ishte 1.57 në 2008, 2010 dhe 2016. Në vitet ndërmjet, ajo luhatet midis 1.51 dhe 1.57.
Në vitin 2020, shteti anëtar i BE-së me shkallën më të lartë të lindshmërisë totale ishte Franca (1.83 lindje të gjalla për grua), e ndjekur nga Rumania (1.80), Çekia (1.71) dhe Danimarka (1.68). Përqindja e fëmijëve të lindur nga nëna të huaja ndryshon ndjeshëm midis Shteteve Anëtare. Në vitin 2020, 64% e fëmijëve të lindur në Luksemburg ishin nga nëna të lindura jashtë vendit, ndërsa në Qipro pjesa ishte 39%. Në Austri, Maltë dhe Belgjikë, përqindja ishte rreth një e treta.
Në anën tjetër të shkallës, nëntë vende kishin më pak se 10% të fëmijëve të lindur nga nëna të lindura jashtë vendit, me përqindjet më të ulëta të regjistruara në Bullgari, Sllovaki (të dyja 2%) dhe Lituani (3%). Në vendin tonë, gjatë periudhës 2011 – 2020 lindjet në shkallë kombëtare kanë rënë me 18%. Nga 34,285 bebe të lindura më 2011 në vitin 2020 linden 28,075. Qarku i Kukësit shënoi rënien më të madhe në shkallë vendi. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit në prefekturën Verilindore lindshmëria shënoi rënie me 37.8 për qind.
Pas Kukësit, rënien më të madhe të lindshmërisë gjatë dekadës së fundit e ka shënuar Qarku i Beratit me 34.3%. Gjirokastra renditet e treta për rënien e madhe të lindshmërisë me 32.2% dhe më pas Vlora me mbi 31% për të njëjtën periudhë. Në të kundërt rënien më të ulët të lindjeve e kishin Tirana dhe Durrësi përkatësisht me -1.6 dhe -12.0%. Këto dy qarqe, edhe pse me rënie të lindjeve, kanë shtesë natyrore pozitive të popullsisë për shkak të zhvendosjeve nga rrethet e tjera drejt tyre.
Si pasojë e kësaj situate, zhvillimet demografike janë duke u zhvilluar sipas skenarëve pesimistë të projeksioneve të popullsisë.
Sipas rishikimit të fundit që i takon periudhës 2019-2031, në skenarin pesimist indeksi i fertilitetit për një grua në vitin 2019 ishte 1.36 njësoj si në skenarin pesimist, por në të ardhmen treguesi mund të përkeqësohet përtej këtij skenari për shkak se anketat e tërthortë tregojnë se emigracioni në dekadën e fundit ka qenë më i lartë se pritshmëritë.
Vendet e Europës Lindore përjetuan rënie të lindshmërisë gjatë viteve 1990 dhe 2000, ku indeksi Sintetik i Fekondimit (ISF) arriti në nivele shumë të ulëta. Rastet më ekstreme janë ato të Bullgarisë (1,09 fëmijë për grua) dhe të Republikës Çeke (1,13 fëmijë për grua), për pjesën tjetër të vendeve të Evropës Lindore iSF arriti minimumin, rreth vlerës 1,2 lindje për grua. Në hipotezën e lindshmërisë së ulët në Shqipëri mendohet që iSF do të arrijë nivelin 1,2 në vitin 2031, por zhvillimet reale po tregojnë se ky nivel do të arrihet para këtij viti. /Monitor