Kanadaja ka vendosur që të lejojë homoseksualët që të dhurojnë gjak. Zyrtarët e shëndetësisë morën vendimin për të hequr ndalimin, i cili është konsideruar si homofobik.

Rregulli i vjetër nuk lejonte që meshkujt të cilët kishin kryer marrëdhënie seksuale me burra të tjerë brenda 3 muajve të fundit të dhuronin gjak.

Health Canada e konsideroi vendimin “një moment historik të rëndësishëm drejt një sistemi më gjithëpërfshirës të dhurimit të gjakut”.

Pas 30 shtatorit, dhuruesit e gjakut s’do pyeten më për orientimin e tyre seksual.

Rregulli që homoseksualët të mos dhurohenin gjak u vendos për herë të parë në vitin 1992 për të parandaluar përhapjen e HIV.

Vendimi u mor pas një skandali në 1980-n, kur rreth 2000 njerëz u infektuan me HIV dhe deri në 60,000 me Hepatit C nga dhurimi i gjakut.

Ky ndalim u vendos përgjithmonë, por më pas politika u lehtësua në vitin 2013, kur homoseksualët që nuk kishin kryer marrëdhënie për 5 vite lejoheshin të dhuronin gjak. Më vonë u lehtësua në periudhën aktuale 3-mujore.

Shumë vende vendosën ndalime të ngjashme gjatë epidemisë së Sidës në vitet 1980. Por ekspertët zbuluan se ndalimet kishin pak efekt, pasi gjaku kontrollohet sistematikisht paraprakisht për viruse të tilla si HIV dhe hepatiti B dhe C.

Britania e Madhe hoqi ndalimin tre mujor për dhurimin e gjakut nga homoseksualët vitin e kaluar. Franca, Greqia, Izraeli, Hungaria, Danimarka dhe Brazili gjithashtu kanë hequr kohët e fundit kufizimet.

Duke u përballur me mungesën e gjakut për shkak të pandemisë së koronavirusit, SHBA reduktoi periudhën kur meshkujt homoseksualë duhet të kishin kryer marrëdhënie nga një vit në tre muaj në tetor 2020.