Drejtuesi politik i PD-së në Durrës do të jetë Edi Paloka. Kryedemokrati Lulzim Basha ka vendosur që postin e rëndësishëm për drejtimin e qytetit bregdetar t’ia besojë Palokës.

Lajmin e bëjnë të ditur për “DurrësLajm” burime të brendshme nga PD e qytetit bregdetar.

Ish-deputeti Paloka e fitoi mandatin e fundit parlamentar në listën e Durrësit, ku u rendit i treti në zgjedhjet e vitit 2017.

Më herët, veç emrit të Palokës, u përfolën edhe emrat e ish-deputetit Oerd Bylykbashi dhe sekretarit të përgjithshëm Gazment Bardhi.

Kur na ndajnë 4 muaj nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, PD duket se po emëron të gjithë drejtuesit politik në qarqe. Më herët, kreu i PD Lulzim Basha ka emëruar si drejtues politik në Shkodër Helidon Bushatin. Pas tij, u emëruan dhe drejtuesit politik të qarqeve Fier dhe Vlorës, respektivisht Enkelejd Alibeaj në Fier dhe ish-kreu i KLSH Bujar Leskaj në Vlorë.