Ditën e sotme emisioni “Historia ime” në TvKlan risolli historinë e Pranverës dhe familjes së saj ku dy vjet më parë janë përballur me një tragjedi të madhe. Adriana Shaholli, u vra nga bashkëshorti i saj dhe la pas 6 fëmijë jetimë, në një banesë të mjerueshme dhe pa të ardhura.

Krimi i rëndë që tronditi Durrësin ndodhi më 8 qershor 2018, në lagjen nr.15 të qytetit bregdetar. “Fundjavë Ndryshe” u njoh me rastin përmes mediave dhe ju siguroi atyre mbështetje të menjëhershme.

Në pak muaj u ndërtua një shtëpi e re për ta. Pranvera është vajza e madhe e 6 fëmijëve. Ajo bashkë me vëllain e saj, punojnë nga dy punë dhe kujdesen për motrat më të vogla.

Në përfundim të ciklit të mesëm të studimeve, Pranvera kishte vendosur ta linte shkollën, për të punuar dhe për të siguruar të ardhura për shkollimin e motrave më të vogla.

“Fundjavë Ndryshe” vendosi të paguajë një bursë studimi në UET, në degën që ajo ëndërronte. Gjatë intervistës me moderatoren Mirela Milori, Pranvera është shprehur se që 14 vjeç ajo ka filluar të punojë për të kontribuar në shtëpi sepse askush në famije nuk punonte dhe tashmë ajo është e aftë të punojë kudo. Kur u pyet nëse e ka takuar më babain e saj pasi vrau të ëmën, vajza u shpreh se nuk e ka takuar dhe nuk i intereson se çfarë bëhet me të, duke lënë të nënkuptohet se ajo, motrat dhe vëllai i saj kanë hequr dorë prej tij.

Pranvera ka treguar edhe këshillën e nënës së saj që e kujton gjithmonë: “Mos i ul kokën askujt, ec përpara me ato që ke në kokë dhe në ëndrrat e tua”.

Pranvera ka treguar se e konsideron të ëmën si ëngjëll mbrojtës dhe se kur lutet, i lutet dhe Zotit dhe mamit lart. Ajo shprehet se pavarësisht se ku shkon dhe i del ndonjë pengesë para, thotë se nuk do ndodhë asnjë gjë sepse nëna është pranë saj dhe e kapërcen.