Qeveria ka vendosur të ndryshojë ligjin për strehimin social duke bërë një sërë korrigjimesh dhe ndër të tjera në sy bie edhe riformulimi i nenit 19 që ndalet tek krijimi i fondit të banesave sociale që vijnë nga ndërtuesit.

Në projektligjin e saj të nxjerrë për konsultim nënvizohet se tashmë titulli i nenit bëhet “Kontributi i sektorit privat në krijimin e fondit publik të banesave sociale” dhe shtohen edhe tre pika të reja.

Korrigjimi i qeverisë duket më shumë si një tërheqje pas ankesave të ndërtuesve në raport me atë çka është ligji aktualisht dhe që lidhet me sipërfaqen që duhet të kalojë çdo ndërtues në fondin e banesave sociale.

Interpretimi ka ndryshuar duke nënvizuar në projektligj se tashmë nuk do të kemi më 3 për qind të sipërfaqes funksionale të ndërtimit mbi 2 mijë metra2 por 3 për qind të sipërfaqes shtesë të ndërtimit mbi 2 mijë metra katror.

Ky formulim mbron ndërtuesit nga llogaritja e 3 për qindëshit që me një llogari të thjeshtë dhe pa u ndalur në interpretimet teknike përjashton një sipërfaqe mbi 150 m2 që aktualisht me ligj ndërtuesit janë të detyruar të kalojnë në fond. Në relacion sqarohet se ndryshimet në nenin 19 janë bërë edhe për të nxitur njësitë e qeverisjes vendore që të pranojnë fond banesash teksa tendenca e tyre ka qenë që të përfitojnë vlerën në para.

Çdo subjekt privat që, pas datës 30 Nëntor 2018, aplikon për leje zhvillimi dhe ndërtimi për objekte me sipërfaqe ndërtimi mbi 2 000 metra katrorë, siguron kalimin pa shpërblim të të paktën 3 për qind të sipërfaqes së ndërtimit shtesë mbi 2 000 metra katror, me kushtet e një strehimi të përshtatshëm, në favor të fondit publik të banesave sociale.

Në rastin kur sipërfaqja e përfituar nga zbatimi i nenit 19 të këtij ligji, nuk i plotëson kushtet dhe normat e strehimit për banesat sociale, subjekti detyrohet të sigurojë një apartament sipas normave në një zonë tjetër.

Si është ligji aktualisht

Çdo subjekt privat që, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, aplikon për leje zhvillimi dhe ndërtimi për ndërtime me sipërfaqe ndërtimore banimi mbi 2 000 metra katrorë, siguron kalimin pa shpërblim të të paktën 3 për qind të sipërfaqes funksionale, me kushtet e një strehimi të përshtatshëm, në favor të fondit publik të banesave sociale.

Kjo sipërfaqe, në rast pamundësie për t’u dhënë në sipërfaqen ndërtimore të banimit që ndërtohet, mund të jepet në një sipërfaqe tjetër ndërtimore banimi. Kontrata që nënshkruhet mes palëve për kalimin e sipërfaqes ndërtimore në favor të fondit publik të banesave sociale, regjistrohet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme./MONITOR