Policia e Shkodrës arrestoi tre shtetas që ishin shpallur në kërkim, konkretisht babanë me dy djemtë, të cilëve në fshatin Bratosh, në afërsi të banesës së tyre janë gjetur të kultivuara bimë narkotike kanabis.
Në pranga ranë shtetasit Marash Therqaj, Elton Therqaj dhe Danjel Therqaj.
Sipas policisë, në lidhje me këtë rast, në datën 22.08.2021, janë arrestuar në flagrancë “shtetasja E. M., 23 vjeçe, banuese në fshatin Bratosh, Malësi e Madhe (bashkëshortja e shtetasit Elton Therqaj), dhe një 15-vjeçar, pasi gjatë kontrollit në banesat e tyre, janë gjetur 10.2 kg lëndë narkotike kanabis dhe një armë zjarri pistoletë.
Njoftimi nga Policia Shkodër
Finalizohet operacioni policor i koduar “Bratosh”.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas të shpallur në kërkim.
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Shkodër, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, pas një punë të mirorganizuar, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Bratosh”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve të shpallur në kërkim:
M. Th., 60 vjeç (babai) dhe E. Th., 25 vjeç dhe D. Th., 21 vjeç (dy djemtë), banues në fshatin Bratosh, Malësi e Madhe.
Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër i ka caktuar këtyre shtetasve, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi në datën 20.08.2021, në fshatin Bratosh, në afërsi të banesës së tyre janë gjetur të kultivuara bimë narkotike canabis sativa.
Në lidhje me këtë rast, në datën 22.08.2021, janë arrestuar në flagrancë shtetasja E. M., 23 vjeçe, banuese në fshatin Bratosh, Malësi e Madhe (bashkëshortja e shtetasit E. Th), dhe një 15-vjeçar, pasi gjatë kontrollit në banesat e tyre, janë gjetur 10.2 kg lëndë narkotike kanabis dhe një armë zjarri pistoletë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasja E. M. dhe 15-vjeçari janë bashkëpunëtorë me shtetasit M. Th., E. Th. dhe D. Th. (të ndaluar) dhe me 2 shtetasit e tjerë të shpallur në kërkim, D. Th. dhe M. P. (babai i 15-vjeçarit). Vijon puna për kapjen e tyre.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.





