Policia njoftoi paraditën e kësaj të mërkure se ka arrestuar një 25-vjeçar për vrasjen e Armando Baboçit (Gjinit) më 18 shtator në Durrës. Mësohet se në pranga ka përfunduar Enriko Gjini, vëllai i viktimës.
Dyshohet që 25-vjeçari ka qenë prezent mbrëmjen e ngjarjes, ka shtënë me armë dhe ka plagosur një nga pjesëtarët e familjes Tatazi me të cilët ishte konflikti, por dhe dyshohet se mund të ketë qëlluar dhe ndaj vëllait të vet sepse në vend janë përdorur tre armë.
Ekspertiza do të nxjerrë më pas se nga cila armë kanë dalë plumbat që vranë 39-vjeçarin Baboçi. Dyshimet janë që ky person të ketë qëlluar dhe ndaj vëllait të vet, për këtë arsye ndaj tij janë ngritur dy akuza për veprat penale “Vrasje me dashje”, “Armëmbajtje pa leje”.
NJOFTIMI I POLICISË
Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin E. Gj., 25 vjeç, banues në Durrës.
Ndalimi i tij u bë pasi dyshohet si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 18.09.2020, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, ku pas një konflikti për motive të dobëta mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi A. B. (Gj). dhe u plagosën shtetasit E. Gj. dhe E. T.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës në ngarkim të shtetasit E. Gj., për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Armëmbajtja pa leje”.





