Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në një konferencë për mediat këtë të shtunë, komentoi aktualitetin politik, por jo vetëm në Shqipëri.
Ai u ndal dhe tek ngjarja e rëndë në Ksamil, ku u vra me thikë një 20-vjeçar nga Portugalia. Berisha u shpreh se vrasja ishte shtetërore, duke përmendur faktin se tre efektivë u përfshinë në ngjarje. Kryedemokrati përmendi edhe ngjarjen në Kombinat, ku disa adoleshentë u përfshinë në konflikt, duke thënë se Shqipëria dominohet nga krimi.
“Përveç ngjarjes tragjike, e them edhe njëherë, të vrasjes shtetërore të 20-vjeçarit portugez që erdhi të kalonte pushimet në Ksamil dhe kthehet në familjen e tij në arkivol, e them shtetërore sepse ishin tre uniforma policie, të cilat në vend që të mbronin turistin, të mbronin 20-vjeçarin, morën anën e vrasësit, fshehën krimin, duke dëshmuar se rojet e sigurisë në lokalet tona, në tërësi, jo të gjitha sigurisht, janë pjesë e krimit të organizuar, i cili kontrollon jetën ekonomike të vendit.
Por, tmerrësisht shqetësuese ishte ngjarja në Kombinat, ku sipas policisë dhjetëra adoleshentë kishin mprehur thikat, revolet për një përleshje, e cila do kishte marrë përmasat e një masakre.
Natyrisht parandalimi i saj meriton dhe ka vlerësim, por fakti që në Shqipëri janë krijuar mjedise të tilla të inkriminuara, ku mund të ndodhin përleshje me armë të ftohta dhe armë zjarri mes dhjetëra qytetarëve, dëshmon edhe njëherë shkallën e lartë të inkriminimit, të sundimit të krimit në këtë vend. De facto, Shqipëria dominohet tërësisht nga krimi”, tha Berisha.
Duke përmendur temperaturat e larta të gushtit, Berisha theksoi se më tepër problem se vapa për qytetarët shqiptarë, është padrinoja Rama, që sipas tij, ka inkriminuar vendin. Kritikoi kryeministrin edhe për reformën territoriale, duke theksuar se dëshiron të centralizojë pushtetin.
“Dëshiroj të theksoj se këtë javë, më të larta se sa temperaturat e këtij gushti, kanë qenë temperaturat e pakënaqësisë së madhe ndaj Edi Ramës, padrinos së Shqipërisë dhe organizatës së tij kriminale që quhet qeveri.
Krahas protestës më të fuqishme në 35 vitet e fundit të dhjetëra mijëra qytetarëve dhe të rinjve në rrugët e Tiranës, prej 15-20 ditësh në një seri qytetesh të vendit, qytetarët protestojnë kundër zhdukjes arbitrare, tiranike të bashkive të tyre nga njeriu që do të fusë në pëllëmbë të dorës të gjithë Shqipërinë.
Njeriu që kërkon të vendosë një centralizëm të tillë në këtë vend që nuk ka ekzistuar as në kulmin e diktaturës komuniste.
Njeriu që po përdor reformën territoriale jo për ripopullimin e Shqipërisë dhe afrimin e shërbimeve me qytetarin, por përkundrazi për shpopullimin e Shqipërisë, largimin e shërbimeve nga qytetarët dhe indirekt dëbimin e tyre të butë nga Shqipëria.
Temperaturat e pakënaqësisë ndaj padrinos dhe qeverisë së tij shprehen kudo. Por krahas këtyre, ka pasur edhe shfaqje shumë të rënda, dëshmi të mjediseve kriminale që janë krijuar në këtë vend si pasojë e mungesës së shtetit ligjor, zëvendësimit të tij me narkoshtetin”, vlerësoi Berisha.
Në fund, kreu i PD u shpreh se të gjitha objektet që janë ngritur me larje parash, do të konfiskohen.
“Do të jetë një agjenci kombëtare e posaçme, e të gjitha objektet e ndërtuara me larje parash konfiskohen. Vetëm goditja me zero tolerancë e krimit të organizuar është përgjigja më e mirë për garantimin e jetës së turistëve dhe shqiptarëve në Shqipëri. Zero tolerancë ndaj krimit të organizuar”, përmbylli Berisha.
Kryetari i demokratëve iu përgjigj edhe disa pyetjeve të tjera, që i drejtuan qytetarët në rrjetet sociale.





