Policia e Durrësit njofton se vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për kapjen e personave të shpallur në kërkim. 

Mësohet se ka rënë në prangat e forcave blu një 25-vjeçar i shpallur në kërkim për sherrin e ndodhur në zonën e Plazhit në muajin shtator, ku mbeti i vrarë 39-vjeçari Armando Baboçi dhe u plagos i biri, Erald Gjini si dhe Enri Tatasi, një nga agresorët.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin E. Gj., 25 vjeç, banues në Durrës.

Ndalimi i tij u bë pasi dyshohet si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 18.09.2020, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, ku pas një konflikti për motive të dobëta mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi A. B. (Gj). dhe u plagosën shtetasit E. Gj. dhe E. T. 

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës  në ngarkim të shtetasit E. Gj., për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Armëmbajtja pa leje”.”, njofton sot policia.

Kujtojmë që më 19 shtator të vitit që lamë pas, ranë në prangat e policisë për veprën penale “Vrasje me paramendim”; Klodjan Daci, Henri Tatasi si dhe Sergio Tatasi, ndërsa Endri Cimo (Bregu) dhe Argit Kastrioti për “Moskallëzim krimi”.