Nuredin Dumani ka zbuluar autorin e vrasjes së Emiljano Ramazanit në korrik të vitit 2020 në Elbasan, ku sipas tij e ka kryer Skerdi Tasi.

Nuredin Dumani dyshohet t’i ketë thënë grupit hetimor se ditën kur ndodhi ngjarja shoferi i Tasit që e ka ndihmuar më pas të largohet nga vendi i ngjarjes ka qenë Henrik Hoxha.

Në pamjet e publikuara pas ngjarjes, duket autori (Tasi) i cili del nga automjeti ndërkohë që personi që qëndron në automjet zhvendoset përpara për të mos rënë në sy.

Autori i afrohet shënjestrës dhe e qëllon në mënyrë gjakftohtë në vetëm 30 sekonda, pranë palestrës që ky i fundit frekuentonte.

Ramazani ishte një emër i njohur për drejtësinë.  Në vitin 2012 gjatë operacionit të koduar “Tabakane 2”, Ramazani  i njohur edhe me nofkën “Rramani” dhe “Ili” u arrestua së bashku me 5 të tjerë pasi prokuroria kishte prerë fletë arresti për trafik të lëndëve narkotike. Por ai kishte mundur t’i shpëtonte prangave.