Italia ka vendosur të mbajë në fuqi masat kufizuese në shkallë kombëtare, ndërkohë që do të zbusë pak kufizimet gjatë ditëve të javës, raporton Reuters.
Italianët kaluan pjesën më të madhe të festave të fundvitit në shtëpi, me njerëzit që lejoheshin të dilnin nga shtëpia vetëm për punë, arsye shëndetësore dhe emergjenca, ose për udhëtime të shkurtra për të parë një numër të kufizuar miqsh apo të afërmish. Këto rregulla duhej të skadonin të enjten dhe ministrat ranë dakord në një takim të kabinetit për të kthyer sistemin e vjetër me tre nivele që lejon aplikimin e masave të ndryshme në rajone të ndryshme.
Të gjithë baret dhe restorantet në vend do të duhet të mbyllen këtë fundjavë dhe udhëtimet mes qyteteve do të mbahen në minimum. Qeveria ka vendosur po ashtu të shtyjë rihapjen e shkollave të mesme, e planifikuar fillimisht për të enjten, me kapacitet 50 përqind, deri të hënën. Disa rajone, përfshirë atë të Venetos në veri, përreth Venecias, kanë vendosur ndërkohë të shtyjnë rihapjen e shkollave deri më 31 janar.
Numri i rasteve ditore ka rënë nga rreth 40 mijë në mes të nëntorit, në më pak se 20 mijë këto ditë. Por shkalla e infeksioneve është luhatur ndërsa qindra janë viktimat e çdo dite.