Qeveria dhe policia po u kërkojnë publikisht bizneseve të Tiranës, përveç bareve e restoranteve dhe disa dyqaneve, që të qëndrojnë mbyllur të mërkurën më 25 maj që zhvillohet ndeshja finale e Conference League në stadiumin Arena Kombëtare.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha se thirrja për bizneset private që të mbyllen, e po ashtu dhe bankat, vjen pasi më 25 maj sipas tij Tirana do të jetë e paralizuar nga 20 mijë tifozë që priten në ish stadiumin Qemal Stafa, shumica të huaj.
“U bëj një thirrje të gjithë bizneseve që nuk kanë lidhje me finalen, pra ato që kanë lidhje janë restorantet, baret, gjithë bizneset e shërbimit, por u bëj thirrje bizneseve të tjera siç janë bankat apo zyra të ndryshme private që ashtu siç ne kemi bërë me institucionet publike apo me shkollat, ta bëjnë dhe ata, pra ta shpallin ditë pushimi, ditën e mërkurë, pasi do të jetë siç thashë e paralizuar për sa i takon qarkullimit të mjeteve, e gjithë Tirana”.
Po ashtu Çuçi iu drejtua edhe qytetarëve që jetojnë jashtë Tiranës që të mos tentojnë të vijnë në kryeqytet për të parë ndeshjen nëse nuk kanë një biletë për në stadium.
I dekurajoj të gjithë shqiptarët që ditën e mërkurë mos të tentojnë të vinë në Tiranë nëse nuk kanë biletë, sepse Tirana do të jetë në dispozicion të gjithë atyre, miqve në radhë të parë nga Roterdami dhe nga Roma, dhe të gjithë atyre që kanë një biletë dhe duan të vinë të shijojnë ndeshjen, këtë finale të madhe.
Qeveria e shpalli 25 majin ditë zyrtare pushimi në të gjitha institucionet, shkollat dhe universitetet, private e shtetërore të qarkut Tiranë ku përfshihen veç kryeqytetit edhe Kamza, Vora, Rrogozhina dhe Kavaja. Në këtë ditë, ora 21 luhet finalja e “Conference League”, mes Romës dhe Feyenoordit të Roterdamit në stadiumin kombëtar. Me vendimin e saj, qeveria detyron institucionet dhe shkollat që ta zëvendësojnë një të shtunë, këtë ditë pushimi.
Ministri Çuçi garantoi punonjësit e medias se nuk preken nga këto kufizime. “Vetëm ju mos kini hall, se ju, nuk keni nevojë as për autorizim, sepse s’besoj se ju kanë ndaluar ndonjëherë, edhe në situata të pandemisë, edhe në situatat më të vështira që ka pasur gjatë asaj kohe, nuk ju ka ndaluar njeri. Kështu që ju e keni “kartabiankën”, tha Çuçi.