Emisioni ‘Sot’ në Euronews Albania ka siguruar videon ekskluzive të momentit kur Ludian Zaimi qëlloi me armën e shërbimit kolegun e tij Çaush Saliasi, 55 vjeç.
Nga pamjet shihet se si në ambientet e Komisariatit nr.3, ku ndodhi ngjarja e rëndë ndodhen disa efektivë policie të ulur nëpër karrige, në pritje të ndërrimit të turnit.
Autori del jashtë, ndërkohë që pak para tij ka dalë edhe viktima, i cili shihet i ulur në shkallët e komisariatit.
Në ambientet e jashtme, pranë viktimës shihet edhe një efektiv tjetër dhe në pamje të parë situata duket e qetë.
Në një moment, efektivi Ludian Zaimi kthehet me fytyrë nga 55-vjeçari Çaush Saliasi, duke qëlluar disa herë me pistoletë në drejtim të tij.
Ky i fundit përpiqet të largohet duke u futur përsëri brenda në Komisariat e duke shtyrë me këmbë derën që të largonte 25-vjeçarin, i cili shihet teksa e ndjek me armë në dorë deri tek dera.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së hënës brenda ambienteve të Komisariatit nr. 3 në kryeqytet.
Zaimi qëlloi të paktën me 6 plumba ndaj Saliasit dhe u ndalua nga kolegët teksa përpiqej të largohej nga komisariati.