Autori i masakrës të fundit në një shkollë të SHBA-së që tronditi vendin e mbarë botën, është identifikuar si Salvador Ramos.
Pak pasi kishte qëlluar gjyshen e tij, 18-vjeçari i është drejtuar shkollës fillore Robb, në Uvalde të Teksasit e më të hyrë brenda, ka nisur të qëllonte mbi nxënësit e mësuesit që i dilnin përpara.
Bilanci i ngjarjes së rëndë është tragjik: 19 fëmijë të vdekur, e dy mësuese të ekzekutuara gjithashtu pa mëshirë. Autori mbeti dhe vetë më pas i vrarë nga policia. Zyrtarët lokalë thanë se Ramos kishte blerë një armë gjysmëautomatike për ditëlindjen e tij të 18-të dhe ishte shfaqur me të në rrjetet sociale.

I riu kishte studiuar dhe vetë në shkollën e mësyrë prej tij. Një shok i tij i klasës tregoi se Ramosin e tallnin shumë për veshjet që mbante dhe për gjendjen e vështirë financiare të familjes së tij. Ai e la shkollën e gjeti një punë në një fast food, ku kolegët thonë se ishte një tip i qetë e i tërhequr, që nuk socializohej shumë me të tjerët.
Në mesin e viktimave të tij janë dy djemtë, Xavier Lopez, 10 vjeç dhe Uziyah Garcia nëntë vjeç – dhe disa vajza – Makenna Elrod, 10, Amerie Jo Garcia, 10, Eliahana Torres, gjithashtu 10 vjeç. Presidenti amerikan, Joe Biden doli menjëherë para kamerave pas kthimit nga Azia, pas tragjedisë dhe kërkoi ashpërsim të ligjit të armëve.





