Washington Post ka publikuar një regjistrim audio në të cilin presidenti Donald Trump dëgjohet duke i kërkuar një zyrtari të lartë të zgjedhjeve të shtetit të Xhorxhias për të “gjetur” vota të mjaftueshme nëpërmjet të cilave të përmbyset rezultati në këtë shtet, ku ai ka humbur.
Gazeta publikoi disa fragmente të bisedës së zhvilluar të shtunën. Në të presidenti dëgjohej duke alternuar lavdërimin e sekretarit republikan të Shtetit të Xhorxhias Brad Raffensperger ne kërcënimin me pasoja të paqarta penale, në një përpjekje për të zhbërë humbjen e tij në këtë shtet ndaj presidentit të zgjedhur Joe Biden. Trump sërish shfaqet i bindur se ka pasur manipulime.
“Mendon se është e mundur qe te kenë zhdukur vota? Sepse kështu thuhet që ka ndodhur. Edhe Dominion ka ndërhyrë te makineritë. Dominion po lëviz vërtet shumë shpejt për të hequr qafe makineritë e saj të numërimit. Di gjë për këtë? Sepse është e paligjshme, apo jo? Gjithë çfarë dua është të gjej 11.780 vota, që është një më shumë nga sa kemi sepse ne e fituam këtë shtet. Dhe nuk ka asgjë të keqe të thuash se i rillogaritëm rezultatet”.
Raffensperger i tha presidentit se ai po mbështeste teori konspirative të hedhura tashmë poshtë, ndaj atyre që ai i cilësoi si zgjedhje të lira e të drejta, teksa Trump insistonte se nuk kishte asnjë mundësi që ai të kishte humbur garën në Xhorxhia.
Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje, as zyra e Raffensperger e ajo e tranzicionit e Biden. Xhorxhia është një nga disa shtetet kyçe, në të cilin zoti Trump humbi gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit ndaj rivalit demokrat, por që prej asaj kohe vazhdimisht është përpjekur ta përmbysë rezultatin.