Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, ka folur për vendimin e qeverisë që ka hyrë dje në fuqi, për heqjen nga përdorimi i qeseve plastike.

Kumbaro sqaroi se bëhet fjalë për qese të lehta ose shumë të lehta, dhe jo qese plastike disa përdorimshe. Ajo tha se ky ligj ka si qëllim ndalimin e prodhimit të qeseve plastike të lehta ose shumë të lehta, prej datës 1 qershor 2022.

“Ndalimi i qeseve njëpërdorimshme, të lehta ose shumë të lehta. I theksoj këto detaje sepse e para nuk besoj se pritej që ditën e parë të zhdukeshin të gjitha qeset, që i kemi stok nëpër magazina. Ky ligj ndalon prodhimin e mëtejshëm të këtyre qeseve të lehta, ndërsa qeset që përdoren shumë herë, për transportin e mbetjeve, ato do të jenë në treg.

Duke filluar që dje, në zbatim të ligjit, janë vënë në veprim tre institucione që po informojnë bizneset për këtë ligj”, tha Kumbaro.