Covid-19 i ka marrë jetën në moshën 64-vjeçare, drejtorit të Administratës së Zonave të Mbrojtura Qarku Kukës, Besnik Hallaçi.

Hallaçi, biolog dhe ambientalistit i njohur në rang kombëtar dhe ndërkombëtar, ishte zbulues i “Tulipanit Shqiptar” i njohur ndryshe si “Tulipani i Kukësit”. Ai prej dy javësh ishte i shtruar tek spitali “Shefqet Ndroqi”, ku dhe po merrte trajtim për virusin.

Lajmin e kanë bërë me dije miqtë e tij në mediat sociale, ku ndër të tjera shkruajnë se ai ishte një njeri fisnik, familjar model, biolog, ambientalist, studiues i pasionuar, fotograf, njeri që si rrallëkush e njihte florën e faunën e verilindjes.

“Besniku ishte një prind shembullor, një mik dhe shok i jashtëzakonshëm, një burrë fisnik, që shquhej për përkushtim e devotshmëri ndaj punës dhe miqve të shumtë” shkruajnë miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij duke i shprehur ngushëllime familjes së tij.

Për humbjen e biologut të njohur kuksian ka shkruar edhe Prefekti i Qarkut Kukës Zenel Kuçana.

“Lajm i trishtë për humbjen e jetës së biologut pasionant e drejtuesit model në rrethin e Kukësit, ngushëllime familjes, të afërmeve, shokëve e miqëve të tij. Lamtumirë Besnik Hallaçi, paç dheun e lehtë”.

Edhe kryetari i Bashkisë Kukës Safet Gjici shprehu ngushëllime për humbjen e biologut Besnik Hallaci. Gjici në faqen e tij shkruan: “Me dhimbje të thellë dhe hidhërim të madh mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta në mënyrë të papritur nga kjo pandemi famëkeqe të biologut të njohur kuksian Besnik Hallaçi.Më lejoni që në këto momente të dhimbshme t’i shpreh familjes, të afërmve të tij ngushëllimet më të sinqerta, në emrin tim personal dhe të qytetarëve kuksian. U prehsh në paqe!.”