Policia e Durrësit ka ushtruar në preg të ndërrimit të viteve kontrolle të shumta për parandalimin e tregtimit të lëndëve piroteknike.

Në vazhdën e këtyre aksioneve janë sekuestruar në Maminas 72 pako fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese, të rrezikshme për jetën e qytetarëve gjatë përdorimit të tyre. Policia ka nisur procedimin penal ndaj personit që i tregtonte ato.

“Si rezultat i kontrolleve, në Maminas shërbimet e Policisë kanë konstatuar shtetasin N. Gj., i cili në bagazhin e makinës dispononte 72 pako me fishekzjarrë të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak, u procedua për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”, shtetasi N. Gj., 59 vjeç, banues në Maminas”,- njofton policia.

“Kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin e Durrësit dhe në këtë kuadër Policia Durrës fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital çdo rast të tregtimit apo përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve duke ju garantuar ruajtje anonimati dhe reagim të shpejtë”,– thuhet me tej ne njoftimin zyrtar te policise.