Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodríguez zyrtarizuan marrëdhënien e tyre pas rreth një dekade së bashku, duke zhvilluar një ceremoni private në Portugali, larg vëmendjes së publikut dhe mediave. Por përtej martesës, mediat portugeze raportojnë se në familjen e çiftit ka ndodhur edhe një tjetër ndryshim i rëndësishëm. Sipas këtyre raportimeve, Georgina ka ndërmarrë një hap ligjor për t’u bërë nënë e tre fëmijëve më të mëdhenj të sulmuesit.

Georgina ka qenë prej vitesh pjesë e jetës së tyre dhe është shfaqur krah tyre në shumë momente familjare. Megjithatë, deri tani marrëdhënia e saj me tre fëmijët nuk kishte të njëjtin status ligjor si lidhja prindërore me vajzat e saj dhe Ronaldos, Alana Martina dhe Bella Esmeralda.

Çifti ka kaluar edhe një moment tragjik në jetën familjare. Ángel, vëllai binjak i Bella Esmeraldës, humbi jetën gjatë lindjes, një ngjarje që Ronaldo dhe Georgina e kanë përshkruar si një nga periudhat më të dhimbshme të jetës së tyre. Martesa thuhet se është shoqëruar edhe me një marrëveshje financiare që përcakton kushtet në rast të një ndarjeje apo divorci në të ardhmen.

Sipas raportimeve të publikuara në Portugali, marrëveshja parashikon që Georgina të përfitojë një pagesë mujore prej 100 mijë eurosh gjatë gjithë jetës, nëse plotësohen kushtet e përcaktuara në dokument. Marrëveshja lidhet gjithashtu me pasuritë e paluajtshme të çiftit.

Në rast divorci, Georgina do të kishte të drejtë të qëndronte me fëmijët në vilën që Cristiano Ronaldo zotëron në La Finca, një prej zonave më ekskluzive të Madridit.