Jemi mësuar ta lidhim emrin e Donatella Versace me Maison-in me të njëjtin emër, të themeluar nga vëllai i saj, Gianni Versace. Por tani gjërat kanë ndryshuar, bën të ditur Fanpage.it.
Në mars të vitit 2025, pas gati 28 vitesh në drejtimin kreativ të markës, Donatella Versace njoftoi largimin nga ky rol ikonë. Që nga ai moment, ajo vendosi të merrte një pauzë nga industria e modës.
Tani është rikthyer dhe, përmes një njoftimi zyrtar, ka bërë të ditur se është gati të nisë një kapitull të ri: krijimin e një marke të re të modës dhe bukurisë në bashkëpunim me Revolve.
Një kapitull i ri po nis për Donatella Versace. Stilistja ka njoftuar se do të drejtojë krijimin e një marke të re mode dhe beauty në partneritet me shitësin amerikan Revolve, grup që përfshin Revolve Los Angeles, Revolve Beauty, Revolve Man dhe platformën e-commerce Fwrd.
Donatella do të mbajë pozicionin e Chief Creative Officer, duke marrë përsipër drejtimin krijues të kompanisë. Ajo do të përcaktojë identitetin e markës, produktet, bashkëpunimet dhe universin e saj kulturor.
Projekti i parë do të jetë në sektorin e bukurisë, por për momentin nuk janë bërë të ditura detaje të tjera. Më shumë informacion pritet të zbulohet gjatë muajve të ardhshëm.
Pas njoftimit të madh, Donatella Versace ka ndarë edhe mendimet e saj të para për këtë kapitull të ri.
“Besoj se kreativiteti duhet të jetë i guximshëm, gjithëpërfshirës dhe i gjallë në botë. Gjithmonë jam frymëzuar nga brezi i ri në muzikë, kinema, art dhe, natyrisht, në modë. Ky partneritet më jep lirinë t’i drejtohem këtij brezi në një mënyrë krejtësisht të re dhe personale, përmes bukurisë dhe modës.”
Në bashkëpunim me Revolve, Donatella synon të sjellë një energji të re, një pamje të re dhe një zë të ri, duke e parë këtë lidhje të pazakontë si një mundësi për të krijuar diçka me ndikim kulturor.
Tani mbetet për t’u parë se si do të interpretojë Donatella Versace shijet dhe nevojat e brezave të rinj dhe çfarë forme do të marrë kjo markë e re, e cila premton të ndërthurë modën, bukurinë dhe vizionin e saj krijues.





