Taylor Swift do të nderohet me Çmimin e Nderit për Regjisore Artiste në ceremoninë e MTV Video Music Awards 2026, që do të mbahet të dielën, më 27 shtator.

Çmimi i ri është krijuar për të vlerësuar artistët, puna e të cilëve pas kamerës ka ndikuar në zhvillimin e videoklipeve muzikore dhe rrëfimit vizual.

Me këtë vlerësim, Swift do të arrijë në 31 fitore në MTV VMAs, duke vendosur një rekord të ri në historinë e ceremonisë. Deri tani, ajo ndante rekordin me Beyoncé-n, me nga 30 statuja secila. Ndërsa te artistët meshkuj, rekordin e mban Eminem me 15 fitore.

Ceremonia e këtij viti do të zhvillohet në Teatrin Peacock në Los Angeles dhe do të prezantohet nga Snoop Dogg. Eventi do të transmetohet drejtpërdrejt në CBS dhe MTV, si dhe do të jetë i disponueshëm për transmetim në Paramount+.

Në edicionin e këtij viti, Madonna kryeson listën e nominimeve me 11 të tilla, përfshirë kategoritë Videoklipi i Vitit, Artisti i Vitit dhe Kënga e Vitit. Taylor Swift ndjek me nëntë nominime, ndërsa Ariana Grande dhe Sabrina Carpenter kanë nga shtatë.

Në kategorinë “Artisti i Vitit”, Swift do të përballet me Madonna-n, Ariana Grande, Bruno Mars, Sabrina Carpenter dhe Morgan Wallen.

Ceremonia do të sjellë edhe 26 artistë të nominuar për herë të parë. Mes tyre janë GENER8ION dhe Yung Lean, grupi K-pop CORTIS, si dhe këngëtarja Stella Lefty.

Një tjetër moment i rëndësishëm i mbrëmjes do të jetë rikthimi i Madonna-s në skenën e MTV VMAs pas 23 vitesh. Ajo do të hapë ceremoninë, ndërsa në skenë do të performojnë edhe GENER8ION, Shaboozey, LISA, Raye dhe Sienna Spiro.

Nirvana do të nderohet me çmimin Video Vanguard, 34 vjet pas paraqitjes së parë të grupit në MTV VMAs.

Votimi publik për 13 kategori nisi në mes të gushtit dhe do të mbyllet më 25 shtator. Ndërkohë, votimi për kategorinë “Artisti më i Mirë i Ri” do të vijojë edhe pasi të nisë ceremonia.