Presidenti amerikan Donald Trump dhe ish-Zonja e Parë Michelle Obama janë burri dhe gruaja më e admiruar në Shtetet e Bashkuara për vitin 2020, sipas një sondazhi vjetor nga “Gallup”.
Michelle është gruaja më e admiruar për të tretin vit radhazi, ndërsa Trump mundi bashkëshortin e saj, ish-presidentin Barack Obama, për herë të parë këtë vit, me 18% të të anketuarve që thanë se e admironin më shumë Trumpin.
Për krahasim, vetëm 15 përqind e amerikanëve thanë se admironin më shumë ish-presidentin Obama.
Përgjigjet u ndanë kryesisht përgjatë vijave të partisë, me republikanët që thanë se admironin Trump dhe demokratët Obaman.
Zëvendëspresidentja e zgjedhur, Kamala Harris, u listua si gruaja e dytë më e admiruar në SHBA.
Në përgjithësi, 6% e amerikanëve e votuan presidentin e zgjedhur Joe Biden dhe 3% specialistin kryesor për Sëmundjet Infektive, Anthony Fauci.





