Fatmir Mukaj, xhaxhai i Sherif Mukajt, i cili u gjet i vdekur në malin e Gramozit, ka deklaruar për mediat se nipi i tij ishte shumë i qetë.
Ai u shpreh se 29-vjeçari nuk ka pasur konflikte me njeri e se paratë ia siguronte familja nga jashtë shtetit.
Po ashtu, ai tregoi dhe momentin kur një prej çobanëve të fshatit i tregoi se kishin zbuluar një trup në mal, që mund t’i përkiste nipit të tij.
“Ju mund të pyesni çfarë njeri ishte, ai s’ka pasur konflikt me asnjë ai nuk trazonte as mizat. Ne nuk dyshojmë në asnjë gjë. Unë jam fshatar shkoj me dele, lopë, gruan e kam të sëmurë, jam i vetëm. Ju mund të pyesni shokët e tij në Ersekë çfarë djali ishte. Alkool nuk përdorte, cigare jo, sherrxhi nuk ishte, të ndihmonte, nuk ka patur asnjë konflikt në rrethin e Kolonjës. Ne flisnim në telefon. Si iku i ati e merrnim në telefon; ‘hajde këtej, hajde ha bukë këtej’, ‘jo’ thoshte se kam ngrënë. I ati e ndihmonte, pensionin ja la, lekë i dërgonte, nuk kishte asnjë problem. Unë nuk e kam takuar personalisht s’e kam pasur gruan e sëmurë, policia na ka thirrur na ka pyetur. Ne kemi patur marrëdhënie të mira, e kishim si evlat, shoqërinë e kishte të mirë. Atje ku është vrarë nuk shkonte vetë. S’ka mundësi, në fshatin Kreshovë jo. Ne kemi vajtur. Më ka marrë një çoban në telefon nga Konispoli se ai më merrte gjithmonë në telefon se e njihte, më tha ‘kshu kshu, kemi gjetur nje kufomë në pyll’. Mora vëllain tjetër. Ne vajtëm nuk na la policia ta shikonim deri te vendi i ngjarjes nuk shkuam. Te shtëpia policia erdhi të shtunë në darkë unë nuk kam qenë. Policia verifikoi çelësat. Ne nuk kishim shpresa se do ta gjenim bëri 7 muaj e 10 ditë.”, tha xhaxhai.
Fatmir Mukaj tregoi më tej se familja e të riut është shumë keq.
“Janë shumë keq. E ëma ka 2 vjet që se ka parë. E motra gjithashtu. Çdo thotë! E kam nip, evlat e kam dhe unë. Unë kam djalin jashtë punon në punë të zezë, do vijë më thotë do i puth kockat. Çfarë do puthë?! Çfarë do përcjellë ato 5 eshtra. Shteti të veprojë të nxjerrë të vërtetën. Ne një bagëti në mal na humb dhe dalim ta kërkojmë, të ngordhur po ta gjejmë jo një njeri. Për mua s’ka pasur probleme. Na është marrë me gjëra të tjera le ti lante vetë kusuret, mbase ka bërë keq. Mbase ka pasur borxh të na i kërkonte do ja lanim. Atje është vrarë ose është vrarë gjetkë dhe e shpunë, ai që i vajti dherit e di dhe ai që ka bërë veprimin. Rastësi që u gjet trupi i tij ndryshe nuk kishte mundësi. Celularin e mirë e kish lënë në shpi dhe çelësat e makinës. Ne i kemi prerë shpresat. Xhupi që u gjet ishte i djalit.”, tha xhaxhai i viktimës.