E dashura e Aleksandër Sadikajt ka treguar se ku kanë qenë bashkë një natë para ekzekutimit dhe detaji që ajo kishte vënë re në parkim.
“Më datë 9 qershor në drekë ai u kthye nga Memaliaj, ku kishte fermën ‘Sanco Farm’. Në mbrëmje parkuam makinën në katin minus 2 tek parkingu i një qendre tregtare në zonën e Komunës së Parisit. Darkuam në një lokal në zonë dhe kur u kthyem, vura re se kapaku i llamarinës së serbatorit të makinës ishte i hapur. I thashë Aleksandrit, por ai nuk e vrau mendjen. E mbylla vetë dhe vazhduam normalisht rrugën. Parkuam makinën para portës së banesës si përherë. Gjatë natës nuk kam dëgjuar asgjë të dyshimte dhe kur kam dalë Aleksandri ishte në gjumë”, ka deklaruar e dashura.
Vajza shpjegoi se ditën e ngjarjes doli herët nga shtëpia për të shkuar në punë dhe do të takohej me Aleksandrin në drekë, por nuk arritën të takoheshin, pasi 27-vjeçari ndërroi jetë nga shpërthimi në makinë ku sipas hetuesve ishte vendosur rreth gjysmë kilogrami tritol.
“Në orën 14:30 më telefonoi një shok i Aleksit dhe më pyeti ku ishte ai, sepse kishte parë një lajm. Telefonova menaxherin e lokalit dhe ai fillimisht më tha që nuk dinte gjë. Por pas këmbënguljes time, më tha që ishte djegur një makinë tek TEG-u. U nisa për atje, por kishte shumë trafik. Fola me kunatin e Aleksit dhe më tha që Aleksi ishte në spital dhe nuk ishte mirë. U nisa për tek Trauma”, ka rrëfyer e dashura e tij.





