Teuta konfirmoi trajnerin Renato Arapi për sezonin 2022- 2023. Presidenti Edmond Hasanbelliu i dha besim 36- vjeçarit për të nisur një projekt ku baza do të jenë të rinjtë.Këtë e konfirmon vetë Arapi, i cili zbardh disa nga enigmat e durrsakëve, që këtë sezon mbetën jashtë Europës. Sipas trajnerit, lëvizjet në merkato do të jenë të shumta, në një kohë që për lojtarë si Lorenco Vila dhe Rubin Hebaj, nëse do të ketë oferta nga klube jashtë vendit, atëherë mund të shiten.
Renato, klubi ju konfirmoi edhe për një sezon. Është ky një vlerësim për punën tuaj?
Sigurisht që është një vlerësim që më është bërë, jo vetëm mua si trajner, por të gjithëve si staf. Sigurisht që kjo na jep besim për të vazhduar punën me shumë dëshire dhe profesionalizëm.
Nga bisedat që keni bërë me presidentin Hasanbelliu, a mund ta dimë se cili do të jetë objektivi i Teutës për sezonin e ri?
Ndonëse akoma disa gjëra janë pezull, këtë sezon kemi dëshirë dhe do të mundohemi të ndërtojmë një ekip me lojtarë të rinj dhe natyrisht me kontrata afatgjata.
Janë larguar disa lojtarë të rëndësishëm të sezonit të fundit, çfarë planesh keni për merkaton?
Normalisht në çdo merkato të gjitha ekipet kanë nevojë për përforcime, por te Teuta besoj do të ketë goxha lëvizje. Gjithsesi, duhet të jemi të kujdesshëm për të mos bërë të njëjtat gabime si të sezonit të kaluar.
Cilat janë pozicionet ku ju duhen patjetër përforcime?
Në fakt, ne do të kemi nevojë për përforcime në disa pozicione, por sigurisht për mua pika kryesore ku duhet për përforcohemi është reparti i mbrojtjes.
Lojtarë si Jahmir Hyka dhe Asion Daja janë në planet tuaja apo nuk do të ketë rinovim të kontratës?
Siç e përmenda edhe më lart, planet e klubit janë për t’u bazuar te djemtë e rinj dhe me kontrata afatgjata, por sigurisht që duhet të ketë dhe ndërthurje me lojtarë që kanë eksperiencë, pasi janë pikërisht këta futbollistë që mbajnë peshën më të madhe në një ekip.
Sa i përket sulmit, do të vazhdoni të besoni te Hebaj?
Hebaj është nën kontratë me klubin tonë dhe patjetër që do të jetë një lojtar ku ne do të bazohemi. Në rast të ndonjë interesimi nga jashtë, më pas është klubi që vendos për sulmuesin.
Po me Lorenco Vilën çfarë do të bëhet, përflitet se klubi kërkon ta shesë?
Lorenco, ashtu si Hebaj, janë lojtarë ku mendojmë të bazohemi, por normalisht janë disa gjëra që nuk më përkasin mua për të dalë në konkluzione. Si në çdo vend tjetër, interesi i klubeve është që të përfitojnë nga lojtarë që kanë mundësitë për të luajtur në një kampionat më të fortë.