Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në Forumin e IX-të Global, në Azerbajxhan, se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po e mban pezull konfliktin që ka me Kosovën, ndërsa kujtoi zotimin e Presidentit serb në parlament pak ditë më parë.

Sipas Berishës arsyeja kryesore janë plagët e pashëruara të konflikteve të fundit dhe fantazma e ultranacionalizmit që mban pezull konfliktet.

Më tej ai shtoi se ka një ndikim të fortë rus në rajon ndërsa së treti theksoi se krimi i organizuar është i lidhur me pushtetet autokratike të korruptuara.

“Këndvështrimet e mia janë të ndryshme, sepse i tillë jam, opozitar, pavarësisht progresit të madh që ka bërë rajoni në procesin e integrimit, ende për sa i përket sigurisë do të thosha se është shumë larg pozicionit ku duhet të ishte. Arsyeja kryesore ose disa arsye janë plagët e pashëruara të konflikteve të fundit dhe fantazma e ultranacionalizmit të pranishme të cilat e mbajnë pezull konfliktin. Së dyti një ndikim i fortë rus në rajon, së treti krimi i organizuar në nivelet më të larta në lidhje me pushtete autokratike në korrupsion.”-tha Berisha.

Sipas tij “Një marrëveshje mes Servisë dhe Kosovës është jetësore. Një iniciativë ka shkuar kot në Bruksel dhe ka prishur procesin. Ka qenë një inciativë për të ndryshuar kufirin me vija të pastra etnike, për shkak të 3 komunave serbe dhe 3 shqiptare në jug të Serbisë. Një projekt i tillë i mbështetur nga rusët po hapte kutinë e pandorës në rajon. Një situatë e ngjashme paraqitet në rajonin tonë kudo. Të tregohem i sinqertë, projekti gjeti mbështetjen e një lobimi të fortë të Soros, i cili e paraqiti projektin si një projekt “Shoqëria e hapur” në Beograd. Kishte disa qarqe që e mbështesnin në Bruksel dhe Uashington. Ne më pas kishim procesin e Berlinit, sepse ishte një ombrellë për të mos na bojkotuar, por për të na mbajtur në synimin e integrimit në BE. Më pas filloi minishengeni Ballkanik 3 me Maqedoninë, Serbinë dhe fatkeqësisht edhe vendin tim”.