Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka arrestuar 4 efektivë të saj në stacionin e Velipojës, të cilët kanë favorizuar kultivimin e kanabisit në këtë zonë.

Policia bën të ditur se është arrestuar shefin e stacionit të Policisë Velipojë, nënkomisari dhe dy inspektorë.

Operacioni është finalizuar nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore Shkodër dhe Lezhë, ndërkohë që policët janë akuzuar per vepren penale “shperdorim detyre”.

Mësohet se në pranga kanë përfunduar Zamir Sytari, Arben Hoxha, Ergys Lohja, Hysni Beqiri.

“Drejtoria Rajonale e AMP-së Shkodër-Lezhë në bashkëpunim të ngushtë me drejtuesit e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër ka referuar materialet proceduriale për 4 punonjës policie, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Pas hetimeve me metoda speciale të kryera në kuadër të procedimit penal nr. 869 të vitit 2022, u arrit që në një kohë të shkurtër të dokumentohej veprimtaria e kundraligjshme e drejtuesve të Stacionit të Policisë Velipojë.

AMP ka ekzekutuar urdhrat e ndalimit për punonjësit e policisë:

– N/Komisar Zamir Sytari, 40 vjeç, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Velipojë;

– N/Komisar Arben Hoxha., 45 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Velipojë;

– Inspektor Ergys Lohja., 34 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, në Stacionin e Policisë Velipojë;

– Inspektor Hysni Beqiri., 53 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, në Stacionin e Policisë Velipojë.

Me veprimet dhe mosveprimet e tyre, si persona me fushë përgjegjësie direkte, këta punonjës dyshohet se kanë favorizuar kultivimin e sasive të konsiderueshme të bimëve narkotike në zona që kanë pasur mundësi të mbikëqyren e kontrollohen në kuadër edhe të Planit të Veprimit dhe Planit Operacional të DVP-së. Materialet proceduriale i kaluan për kompetencë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër”, thuhet në njoftimin e Policisë.