Ndryshime të reja kanë ndodhur në qeveri, të cilat kryeministri Edi Rama i ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.
Mësohet se Gent Cakaj është larguar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe në vendin e tij është vënë Olta Xhaçka.
Ndërsa kjo e fundit do të zëvendësohet nga ish-zv.kryeministri Niko Peleshi.
“Pas një periudhe intensive pune në kryesimin e OSBE si edhe punës së madhe me përkushtim e profesionalizëm të Gent Cakajt si ministër në detyrë, ky është momenti për t’ia kaluar bashkarisht stafetën Olta Xhaçkës që të kryejë detyrën e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme. Dua ta falenderoj me mirënjohje Gentin jo vetëm për dinjitetin në kryerjen e detyrës së derisotme, po edhe për gatishmërinë e plotë për të vijuar përpjekjen e përbashkët, duke u rikthyer në kabinetin e kryeministrit. Ndërkohë Niko Peleshi do të drejtojë ministrinë e mbrojtjes”, shkruan Rama.





