Nga Mila Ballhysa

Ende pa u ndërtuar porti i ri turistik në Durrës, tarifa e ankorimit në kalatë të jahteve dhe velierave turistike kap majat.

Shqetësimi ngrihet pranë redaksisë së “DurrësLajm”  nga agjentët detarë, pasi në ndryshim nga viti i kaluar tarifat kanë pësuar një rritje të ndjeshme.

Por ajo që bën më tepër çudi është fakti se pavarësisht se vazhdon të mbetet në fuqi udhëzimi nr 4, datë 11.6.2021, “PËR PËRCAKTIMIN E TARIFAVE TË SHËRBIMEVE PORTUALE NË AUTORITETIN PORTUAL DURRËS PËR VITIN 2021”, ku përcaktohen tarifat ditore të ankorimit të mjeteve lundruese turistike, kompania që ka marrë në menaxhim ish-kalatën e peshkimit aplikon tarifa të tjera, prej rreth një muaji.

Më poshtë po publikojmë tarifat portuale për këto mjete, të publikuara në faqen zyrtare të APD-së, si dhe tarifat që aplikon kompania Cristian Marine, tarifa që janë në fuqi nga data 25 maj, pra gjatë sezonit të lartë.

Dyfishim tarife brenda vitit

Ndërkohë që Autoriteti Portual Durrës duhet të aplikojë tarifën 20 euro/dita për jahtet turistike deri në 20 metra linear dhe për ato mbi 20 metra linear 60 euro/dita, kompania që ka marrë në administrim kalatën (por jo sipërfaqen ujore!) aplikon për mjetet mbi 27 metra linear tarifën 220 euro/dita.

Praktikisht është dyfiishuar tarifa e akostimit krahasuar me tarifat e aplikuara një vit më parë nga kjo kompani.

Duke preferuar të qëndrojnë në anonimat për t’iu ruajtur një “hakmarrjeje” nga institucionet, agjentët detarë i tremben faktit se këto tarifa të kripura do ta fshijnë portin e Durrësit nga vendstacionet e qëndrimit të jahteve luksoze, që përshkojnë detin Adriatik.

Aplikimi i një tarife të tillë të kripur nuk bën gjë tjetër veçse largon turistët e huaj që me jahtet apo velierat e tyre do të zgjidhnin portin e Durrësit për t’u furnizuar me karburant dhe shërbime të tjera të domosdoshme.

“DurrësLajm” mëson se kompanisë Cristian Marine i është lënë në përdorim vetëm sipërfaqja e kalatës, por jo ajo ujore, çka nënkupton se privati administron vetëm nxjerrjen e mjeteve lundruese nga deti në tokë, por nuk ka kompetencë të aplikojë apo të vjelë një tarifë që është ekskluzivitet i Autoritetit Portual Durrës.

Konkurenca me Malin e Zi

Shqipëria, megjithëse prej disa vitesh frekuentohet nga mjetet lundruese luksoze (veliera, jahte, krocera) ende nuk ka një port të mirëfilltë turistik, sipas standarteve që ofrojnë portet e vendeve të tjera të rajonit si Mali i Zi apo Kroacia, që lagen po nga deti Adriatik.

Nga një vëzhgim i thjeshtë që mund të bëjë kushdo në faqen zyrtare të Marinës së Malit të Zi, (https://www.portomontenegro.com/marina/services/) kupton gamën e gjerë të shërbimeve që ofron një port turistik, duke nisur nga nafta pa akcizë, asistencë 24 orëshe për jahtin, energji me linjë një apo tre fazore, WI-FI etj.

Për plotësimin e të gjitha standarteve për një port turistik modern, marina e Malit të Zi është vlerësuar nga The Yacht Harbour Association me 5 yje, së bashku me një mori çmimesh ndërkombëtare.

Duke pasur një konkurencë kaq të fortë dhe të drejtëpërdrejtë nga dy vende ballkanike, me një turizëm detar mjaft të zhvilluar, Autoriteti Portual Durrës dhe kompania private që menaxhon kalatën zgjedhin të rrisin në “qiell” çmimet, duke rrezikuar kështu ta bëjnë portin më të madh në vend të paprekshëm nga anijet turistike.

Autoritetet shqiptare zgjedhin të konkurojnë me portet e mirëfillta turistike me tarifa stratosferike, ndërkohë që i ofrojnë një kalatë të improvizuar për ankorimin e mjeteve të luksit. që përmbush vetëm në mënyrë modeste kriteret minimale për një port turistik.

Taksa dhe tarifat e shtuara  

Deri një vit më parë, qeveria shqiptare aplikonte për mjetet lundruese të luksit furnizimin me karburant pa akcizë në port, me qëllim shtimin e numrit të jahteve luksoze, që preknin bregdetin tonë.

Ndërkohë, këtë vit, krahas rritjes së çmimit të naftës për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë, këto mjete duhet të paguajnë edhe një taksë shtesë për karburantin, (taksa e qarkullimit) që është kundërshtuar fort nga operatorët turistikë dhe grupet e interesit në kohën që po kalonte për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

Taksës së shtuar nga qeveria i mbivendoset tashmë tarifa e aplikuar nga kompania Cristian Marine për ankorimin e jahteve në kalatë, duke e bërë praktikisht portin e Durrësit “mollë të ndaluar” për mjetet e luksit.

Në kundërshtim me udhëzimin e përbashkët të dy ministrive, asaj të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, kompania private aplikon një tarifë, që konform ligjit nuk duhet ta vjelë ajo, por Autoriteti Portual Durrës.

Kjo mbyllje syri e APD-së kundrejt tarifave të kripura, që një kompani private aplikon në kundërshtim me ligjin e ngarkon Autoritetin Portual me përgjegjësi ligjore dhe e bën palë në abuzim.

Duket se përpara sesa ta bëjmë Durrësin si Dubai, kemi filluar të aplikojmë tarifat e Dubait!