Eva Dura, një nga socialistet e orëve të para është ndarë nga jeta në moshë të re. Lajmi ka tronditur miqtë dhe kolegët e saj.
Ajo ishte një nga aktivistet e PS-së në njësinë nr.5 në Tiranë, ku këta të fundit i kanë shprehur ngushëllimet me anë të një postimi në rrjetet sociale.
“Eva Dura ka ndërruar jetë! Komuniteti dhe familja socialiste humbën një grua të përkushtuar! Familja e saj humbi bashkëshorten dhe nënën! Ngushëllimet më të sinqerta për largimin para kohe të kësaj gruaje të veçantë”, shkruan njësia nr.5 e PS-së në Tiranë.
Eva Dura mbahet mend edhe për përplasjen me ish-drejtorin e Policisë Bashkiake Florenc Hoxha, pasi ajo dhe kolegia e saj Anila Çobani kishin marrë urdhrin për pushimin nga puna.
Ishte koha kur në krye të bashkisë së Tiranës u vendos Lulzim Basha, por Eva Dura dhe kolegia e saj pretendonin se ende nuk e kishin marrë vendimin përfundimtar.
Ish-drejtori i policisë ushtroi ndaj Anila Çobanit, ndërkohë që në ndihmë të saj shkoi Eva Dura, e cila gjithashtu u dhunua nga Hoxha.
Këtë histori e kujton edhe Anila Çobani, e cila i shpreh ngushëllimet familjes.
“Ike shpejt nga jeta, kolegia ime, mikja ime EVA DURA! Gjithkush e kujton incidentin në zyrën tonë në Bashkinë e Tiranës me Florenc Hoxhën, ku si shqiponjë u ngrite të më mbroje me trupin tënd të brishtë! Gjithkush nga Socialistet e Njësisë 5 do e kujtojë aktivisten, komisioneren e paepur në betejat më të vështira të PS! Motra ime, u prehsh në Paqe”, shkruan Çobani.





