Shqipëria deri në vitin 2050 parashikohet të humbasë 25% të popullsisë së saj, shkruan media prestigjoze “The Economist”.
Në artikullin që i kushtohet Ballkanit, të shkruar nga Tim Judah, vihet theksi në tkurrjen e popullsisë të vendeve gadishullit tonë që vjen për dy motive kryesore: Emigrimin masiv dhe rënien drastike të lindshmërisë që ka zbritur në shumë më pak se dy fëmijë për çift.
“Projeksionet vlerësojnë se deri në vitin 2050, Bullgaria do të ketë humbur 39% të popullsisë së saj krahasuar me 1989, Bosnja 37%, Rumania 31%, Serbia dhe Kroacia 24%, dhe Shqipëria 25%” shkruhet në artikull.
Po ashtu artikulli thekson se që nga periudha e rënies së komunizimit kanë rënë shifrat e lindshmërisë në gadishullin e Ballkanit.
“Që nga periudha e rënies së komunizmit dhe fundit të luftërave në Jugosllavi, banorët e Ballkanit bënë më pak fëmijë dhe emigruan masivisht. Po ashtu ata kanë emigruar pasi u favorizuan edhe nga mungesa e fuqisë punëtore në rajone të caktuara të Evropës, si Gjermania. Shifrat e lindshmërisë kanë rënë ndjeshëm në të gjithë rajonin: “Lidhur me lindjet, numri mesatar i fëmijëve për çdo femër është 1.37 në Shqipëri dhe 1.26 në Bosnjë dhe Hercegovinë – d.m.th. ndër më të dobëtit në botë, larg pragut të rinovimit gjeneratave që kërkon së paku 2.1 fëmijë për grua” shkruan Tim Judah.
Këto fenomene jo vetëm sjellin një paksim dhe plakje të shpejtë të popullsisë, por ato, pengojnë edhe një planifikim afatgjatë të prioriteteve të vendeve që preken nga tkurja e popullsisë.