Vendet anëtare të Bashkimit Europian nisin sot vaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen u shpreh të shtunën se miliona doza të vaksinës Pfizer/BioNTech janë shpërndarë në 27 vende anëtare. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Presidentja e Komisionit Evropian shkroi se: “Po fillojmë të kthejmë faqen në një vit të vështirë. Vaksina është dorëzuar. Vaksinimi do të fillojë nesër në BE”.
Ndërkohë disa shtete filluan të shpërndanin për përdorim vaksinën që ditën e djeshme pasi u shprehën se nuk mund të prisnin dot një ditë më shumë.
Shpërndarja e vaksinave vjen në një kohë kur rastet e variantit të ri të COVID-19 janë konfirmuar në disa shtete evropiane si dhe Kanada dhe Japoni. Vaksinimi masiv për 446 milion njerëz të BE pritet të fillojë në orët e ardhshme.
Aktualisht, më shumë se 14 milion njerëz janë infektuar, ndërsa masa të rrepta izolimi janë aktualisht në fuqi në pothuajse të gjitha vendet anëtare të BE.