Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Sokol Mjacajn, i cili vrau dy turistët çekë në korrik 2015.
Michael Svatos, 27 vjeç dhe Ana Kosinova, 36 vjeçe, mbetën të vrarë nga sulmi i grabitësit mbrëmjen e 4 korrik të vitit 2015. I riu u kërkonte t’i dorëzonin paratë dhe makinën “Nissan” me targa çeke.
Autori u kap pas negociatave me policinë, ndërkohe që ishte futur në një banesë në Grudë.
“Hyra me forcë në makinën e çekëve. Doja t’u merrja makinën, por ata nuk kuptonin ose bënin sikur nuk kuptonin. Kur djali tentoi të më merrte armën e qëllova. Fillimisht atë e më pas gruan”, ka deklaruar 27-vjeçari pas arrestimit.
Ndërsa gjatë seancave gjyqësore i kërkoi mëshirë trupit gjykues: “Unë doja vetëm t’i grabisja, nuk kisha qëllim t’i vrisja. Djalin e vrava pasi donte të më merrte armën, kurse vajzën e kapi plumbi në kohën që makina po rrokullisej.”