Marketin Serrmi, djali i Gjyste Serrmi, një prej pensionisteve të përfshira në skemën e kompanive të inceneratorëve që kryenin evazion fiskal, deklaroi këtë të mërkurë se mamaja e tij jetonte në varfëri, dhe se të ardhurat be saj ishin vetëm 117 mijë lekë, të cilat i merrte nga pensioni.

Gjatë një interviste të dhënë për ABC, ai deklaroi se ëma ka qenë në kushte të vështira ekonomike dhe është jashtë çdo llogjike që të mund të ketë kryer evazion fiskal në atë moshë.

Ai shton se nuk ka dijeni që ndonjë person të ketë ardhur dhe t’i ketë dhënë ndonjë dokument për të firmosur.

Gjyste Serrmit, ka dalë në skemën e inceneratorëve, ku rezulton se asaj gjatë viteve 2016-të dhe 2017-të, i janë  shitur dy kompanitë “Elvis 03” dhe “Frangaj Internacional”, pak muaj përpara se të ndërronte jetë.

Pjesë nga intervista:

Simon Shkreli: A dini gjë, nëna juaj ka pasur firmë biznesi të veten?

Marketin Serrmi: As që bëhet fjalë, nuk ka pasur, se nuk ka pasur mundësi, ka qenë fukara e mbaruar, me një pension  117 mijë lekë”.

Simon Shkreli: Keni pasur dijeni a kanë ardhur njerëz të cilët kanë kërkuar për të firmosur një dokument nga ana jote?

Marketin Serrmi: Jo s’ka ardhur kush, s’më ka thënë gjë. S’ka bërë biznes.”

Simon Shkreli: Ju nuk dini asgjë për këto dokumente?

Marketin Serrmi: As që bëhet fjalë, ajo s’ka patur bukë me ngrënë, e ka ndihmuar e motra.”

Simon Shkreli: Pra ju nuk dini fare lidhje me këtë?

Marketin Serrmi: Asgjë s’dimë, ajo ka vdekur pa lënë asnjë fjalë, asnjë gjë, s’ka pasur ca të lërë.”

Të katër kompanitë e familjes Ymeraj kanë krye sipas Kryemadhit evazion fiskal në vlerën 7.5 milionë dollarëve. Bie në sy se këto biznese që iu shitën të moshuarve janë regjistruar në QKB me objekt veprimtari, si, ndërtim, tregti, hoteleri apo dhe eksport të frutave dhe perimeve.