U desh kthimi në Korçë që Dejvi Bregu të shënojë një penallti dhe që të bëjë ndeshje të bukur, duke e shoqëruar edhe me fitore. Ish-fantazisti i korçarëve flet edhe për ndjesinë për t’u rikthyer si ish, ndaj bardhekuqve.

“Korça është një qytet që mund të luash i qetë dhe të japësh më të mirën tënde. Mua më kanë respektuar dy vite që kam qenë këtu edhe pse klubi ka qenë në pozita të vështira dhe jo në ditët e tij më të mira. Gjithsesi, jam mirënjohës ndaj çdo tifozi korçar dhe këtij klubi. Për këtë arsye nuk festoj për golat që shënoj këtu”, tha fillimisht Bregu.

PENALLTIA – Më tej, 25-vjeçari ka shpjeguar momentin që i la penalltinë Krasniqit, për golin e tretë të ndeshjes. “Pashë reagimin e profesorit pasi jam unë gjuajtësi i parë i penalltive. Por duke parë momentin e vështirë që po kalon Krasniqi, që nuk ka shënuar në ndeshjen e fundit, mendova ta godasë ai”, vijoi lojtari vlonjat.

ECURIA DHE KRIZA – “Teuta është një ekip i mirë dhe mendoj se do të shkojmë shumë lart. Por, kjo, nëse ne do të jemi të përqendruar dhe nëse do të marrim ndeshjet njëra pas tjetrës. Shpresoj që të bëjmë më të mirën në vijim dhe të ecim pozitivisht në këtë drejtim. Kriza? Le t’i lemë pas problemet që kemi pasur dhe të përqendrohemi maksimalisht. Tri pikët vlejnë njësoj, si ndaj ekipeve të forta, ashtu edhe ndaj ekipeve të dobëta. Ne jemi pa asnjë humbje dhe kjo tregon forcën tonë. Por një gjë të tillë duhet ta shfrytëzojmë në të mirën tonë dhe të jemi të përqendruar në çdo situatë që mund të na krijohet”, ka deklaruar Dejvi Bregu.