Protestuesit kanë thënë se do të vazhdojnë të pushtojnë rezidencat presidenciale dhe kryeministrore të Sri Lankës derisa të dy liderët të japin zyrtarisht dorëheqjen. Presidenti Gotabaya Rajapaksa tha se do të largohej më 13 korrik, sipas një njoftimi të bërë nga kryetari i parlamentit të shtunën.

Por vetë presidenti nuk është parë dhe as nuk ka bërë një deklaratë publike. Mijëra njerëz zbritën në Colombo të shtunën duke kërkuar dorëheqjen e tij pas muajsh protestash. Presidenti është fajësuar për keqmenaxhimin ekonomik të vendit, i cili ka shkaktuar mungesë ushqimesh, karburantesh dhe ilaçesh prej muajsh. Kryeministri Ranil Wickremesinghe tha gjithashtu se ai do të tërhiqej pas protestave të së shtunës, në të cilat rezidenca e tij private u dogj. Por protestuesit mbeten skeptikë për qëllimet e liderëve.

Lufta jonë nuk ka mbaruar. Ne nuk do të heqim dorë nga kjo luftë derisa [Presidenti Rajapaksa] të largohet në të vërtetë,” tha kreu i protestës studentore Lahiru Weerasekara.

“Dy ditët e ardhshme do të jenë kohë jashtëzakonisht të pasigurta për të parë se çfarë do të ndodhë politikisht,” tha për Reuters analisti politik dhe avokati i të drejtave të njeriut Bhavani Fonseka, duke shtuar se do të ishte interesante të shihej nëse të dy udhëheqësit në të vërtetë japin dorëheqjen.

Çfarë fshihet pas mungesës së naftës në Sri Lanka?

Udhëheqësit politikë do të mbajnë takime të mëtejshme për të diskutuar një tranzicion të qetë të pushtetit të dielën. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se çdo qeveri e re duhet të fokusohet menjëherë në stabilitetin ekonomik afatgjatë.