Policia e Koresë së Jugut ka arrestuar dy kinezë, ish-ushtarakë, të dyshuar për përgjimin e komunikimeve ushtarake dhe sigurimin e informacionit të klasifikuar mbi stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes Koresë së Jugut dhe SHBA-së.
Sipas mediave koreano-jugore, njëri prej të dyshuarve, rreth të 60-ave, dhe një ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës (PLA), dyshohet se kanë udhëtuar disa herë drejt Koresë së Jugut me viza turistike. Ata akuzohen se kanë përgjuar komunikimet mes avionëve luftarakë dhe kullave të kontrollit të trafikut ajror.
Policia Provinciale Gyeonggi Nambu bëri të ditur se njëri prej të dyshuarve qëndronte në një hotel pranë një aeroporti në qytetin e Gunsanit, në jugperëndim të vendit. Vizitat e tij në Korenë e Jugut nisën në janar të vitit 2024 dhe dyshohet se përkonin me periudhat kur zhvilloheshin stërvitjet e rregullta ajrore të forcave koreano-jugore dhe amerikane.
Gjatë marrjes në pyetje, i dyshuari ka pretenduar se përgjimi i komunikimeve të avionëve ishte thjesht një “hobi” i tij. Megjithatë, autoritetet po hetojnë nëse informacionet e mbledhura mund t’u jenë përcjellë autoriteteve kineze.
Në një tjetër rast, policia ka arrestuar një shtetas kinez 45-vjeçar me origjinë etnike koreane, ish-oficer i PLA-së. Ai dyshohet se ka rekrutuar një grua koreano-jugore që punonte në Camp Humphreys, një prej bazave më të mëdha ushtarake amerikane në Korenë e Jugut, me qëllim sigurimin e të dhënave të klasifikuara mbi stërvitjet e forcave aleate.
Sipas hetuesve, ish-oficeri kinez kishte fshehur identitetin e tij ndërsa administronte një dyqan me furnizime ushtarake amerikane pranë bazës. Aktiviteti i dyshuar thuhet se ka nisur në nëntor 2021 dhe ka vijuar deri në maj.
Dy të dyshuarit përballen me akuza që lidhen me përfitimin e një pale armike, si dhe me shkeljen e ligjeve koreano-jugore që mbrojnë informacionin dhe komunikimet ushtarake.





