Qeveria zgjeron listën e monumenteve të trashëgimisë kulturore, të cilat po i jep me koncesion. Pas Parkut të Butrintit dhe Pallatit të Brigadave, qeveria ka bërë gati planin e ndërhyrjes edhe në zonat arkeologjike të Durrësit.
Me synimin e gjenerimin e të ardhurave, përmes një drafti, i cili është hedhur për konsultim publik, qeveria ka vendosur të japë me koncesion deri në 15 vite pjesën e trashëgimisë kulturore të qytetit antik të Durrësit. Plani i Menaxhimit të Integruar të Zonave Arkeologjike të Durrësit, i financuar nga Fondacioni ShqiptaroAmerikan për Zhvillim, AADF, ka një afat kohor që nis nga 5 deri në 15 vite.
“Sipas rregulloreve, PMI-ja është jo më pak se pesë vjet, por për PMI-në kjo është përpunuar me një afat kohor shtatëvjeçar. Pesë vjet afatshkurtër plus dy vjet shtesë për projekte në periudhën afatmesme. Për të ndjekur vizionin siç përshkruhet, periudha afatgjatë është përtej PMI-së nga tetë deri në pesëmbëdhjetë vjet”, thuhet në draftin e qeverisë.
Projekti prek zonat muzeale të Durrësit, përfshirë edhe amfiteatrin ku propozohet t’u jepen fondacioneve të posaçme. Kjo përcaktohet në planin e menaxhimit të zonave arkeologjike a dhe b të qytetit bregdetar. Pas një analize të plotë të gërmimeve që duhen realizuar, mbrojtjes së ndërtesave që nisin prej periudhës ilire e deri në ndërtimin e vilës së Mbretit Zog, në draftin e paraqitur prej qeverisë propozohen skemat e menaxhimit. Duke përfshirë të gjithë zonën për të përmirësuar arkëtimet jepen tre mundësi.
Përparësi merr Menaxhimi indirekt nëpërmjet Fondacioneve të posaçme, të themeluara nga institucionet e specializuara të trashëgimisë kulturore. Në sqarim të kësaj pike thuhet se kjo kërkon krijimin e një subjekti të ri juridik jofitimprurës në formën e një fondacioni të bashkëthemeluar nga institucione shtetërore të përfaqësuara nga Ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore dhe një partner strategjik.
Ky model thuhet në draft se mbart rreziqe të konsiderueshme pasi është një organizim kompleks dhe do të kërkonte një kohë. Ndaj vihet theksi në fondacione të krijuar nga Ministria e Kulturës ose nga një institucion i specializuar. Mundësi e dytë është menaxhimi nga persona fizikë dhe juridikë, publikë apo privatë, të cilëve u është dhënë administrimi i pasurisë kulturore përmes procedurave publike. Në këtë rast lejohet autonomi e plotë me shumë pak mbikëqyrje. Si pikë e tretë e propozimit është menaxhimi i drejtpërdrejtë nëpërmjet strukturave të specializuara organizative në varësi të institucioneve shtetërore. Por ky model thuhet në projekt do të ishte status quo.
Sipas qeverisë, ky PMI nuk është i vetëm; shoqërohet nga një plan biznesi për pasuritë arkeologjike të Durrësit. Në draft thuhet se ndonëse mund të tingëllojë si kontradiktë ndërthurja e biznesit me kulturën, kjo është metoda më e sigurt për të realizuar ruajtjen dhe mbrojtjen e ndjeshme të pasurive kulturore arkeologjike dhe arkitektonike të qytetit. Kryeministri Edi Rama, vite më parë, gjatë dëgjesave publike premtoi heqjen e çibanëve te zonat arkeologjike të Durrësit. Në pamundësi të mbajtjes së këtij premtimi këto zona ia beson një kompanie private. /Panorama