Analisti Fatos Lubonja i ftuar në News24, tha se largimi i shqiptarëve nga vendi është një çështje shumë e rëndësishme, të cilës i duhet dhënë vëmendje.

Ai tha se Shqipëria në rrezik është edhe për këto gjëra dhe pikërisht ndaj këtyre duhet ndërtuar dhe alternativa.

“Gjëja më në favor të statusquo-në së politikave që po ndjek maxhoranca. Detyrimi i tyre me hir ose pahir për të lënë vendin, dhe zëvendësimi i tyre me bangladeshas, është tamam ajo që atyre u duhet. Një problem shumë i madh, ndaj dhe ai shkatërron identitetet kulturore, shkatërron identitetin, se për çfarë i duhet?!

Ky është fenomeni ndaj të cilit duhet reaguar fort. Shqipëria në rrezik është edhe për këto gjëra dhe pikërisht ndaj këtyre duhet ndërtuar dhe alternativa”, tha ai.

Nga ana tjetër, Lubonja foli edhe për skandalet e qeverisë që po dalin në dritë ditë pas dite, ndërsa komentoi edhe reagimin e bërë nga BE, për amnistinë fiskale që kryeministri Edi Rama kërkon ta aplikojë në vend.

“Vullneti për pushtet i kësaj bande politike me në krye Ramën, është gjëja kryesore dhe ky akt u shërben për të qëndruar në pushtet, për të pasur para, për t’u pasuruar. Të gjithë e dinë që Shqipëria është një narkoshtet, dhe ata po e bëjnë duke ruajtur një lloj fasade, duke bërë gjoja takime me shoqërinë civile, ndërkohë që e dinë shumë mirë ca po bëjnë.

Reagimi i BE për amnistinë fiskale… mendoj se ata kanë reaguar së vërtetë kjo është skandaloze dhe s’mund të mbyllin sytë, sepse i kanë mbyllur sytë herë të tjera, padyshim që Rama nuk është aq budalla sa të mos i përdorë këto lloj sfidash ndaj Europës, ku në fund fare Europa mbyll sytë për shkak të gjeopolitikës, krizës së vet. Ne kemi pas shumë reagime të BE të mefshta, jo këmbëngulëse, Rama pa dyshim që e shfrytëzon këtë situatë për ta hedhur hapin pa asnjë problem.

Ne s’kemi të presim nga Europa. Ata në Sri Lankë nuk protestuan se i shtyu kush, por nga nevoja e tyre. Opozita duhet të jetë e tillë, që mos ketë komplekse, ta akuzojë BE, që dhe këta blihen, kjo është e vetmja gjë që mund të na nxjerrë nga situata”, tha ai.