Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, kreu i Bashkisë Erion Veliaj njoftoi një tjetër projekt që do të nisë së shpejti në kryeqytet. Bëhet fjalë për zgjatimin e Lumit Lana nga pjesa e Pallatit me Shigjeta, e deri në Kashar. Veliaj tha se familjet, objektet e të cilave i prek projekti, edhe nëse nuk i kanë të legalizuara, do të dëmshpërblehen me aq metra katrore sa kanë aktualisht.
“Ne sot miratojme atë që quhet plani për rialokimin dhe bëhet fjalë për 24 struktura rezidenciale, me çertifikatë pronësie që i përket 26 familjeve, 211 strukturat e tjera janë në tokë të Bashkisë. Janë në tokën tonë, por nuk po i përzëmë. Po u themi: “Na lini të bëjmë shtëpitë tamam, që mos t’i marrë Lana përpara, dhe të gëzoni edhe për faktin që jeni në buzë të një super bulevardi”, se vazhdon me bulevardin “Bajram Curri” dhe “Gjergj Fishta”, dhe ndërkohë është tokë e shtetit. Nuk do i lëmë pa shtëpi, do marrin aq sa kanë, por ne do të vazhdojmë të urbanizojmë Tiranën. Janë 9 struktura që janë akoma në proces verifikimi dhe 71 parcela tokash, disa më të vogla dhe disa më të mëdha”, u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se puna në qytet do të vijojë edhe pse sabotuesit do të vijojnë të pengojnë.
“Siç e dini, kemi marrë një kredi nga Banka Europiane e Investimeve. Një kredi për të cilën plotfuqishmërinë nuk e morëm kurrë nga Ilir Meta, si sabotuesi kryesor i projekteve në Tiranë. Unë kam parë kryetar bashkie qe do të bëhet president, por president që do të bëhet kryetar bashkie, hera e parë që e dëgjoj. President që do të bëhet brigadier komunale është akoma më e rrallë. Ka bllokuar çdo projekt, përfshi edhe këtë”, shtoi Veliaj.