Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Durrës, një nga pikat e rendit të ditës kishte të bënte me miratimin e listës së tetë emërore të përfituesve të grantit të rikonstruksionit apo riparimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Vlen të theksohet se lista me 134 emra, që “DurrësLajm” po publikon më poshtë, nuk ka lidhje me aplikimet e realizuara fundjavën e kaluar, por është përpiluar në bazë të apelimeve të bëra nga qytetarët që kanë aplikuar në dy proceset e mëparshme, ato të muajit shkurt dhe korrik.

Megjithëse ka kaluar një kohë e gjatë nga aplikimet dhe apelimet e mëparshme, bashkia zgjodhi të “gëzonte” në prag të festave të fundvitit 134 familje durrsake, të cilat ishin skualifikuar nga 7 listat e mëparshme të miratuara në Këshill Bashkiak.

Ndërkohë lista me emrat e përfituesve nga aplikimi i realizuar fundjavën e kaluar, pritet të kalojë për miratimin në Këshill Bashkiak vitin e ardhshëm, pas verifikimeve që do t’i bëhet dokumentacionit të dorëzuar nga qytetarët dhe rakordimeve me Agjencinë e Kadastrës.