Javën e kaluar në Durrës u hap për herë të tretë aplikimi për të përfituar grantin e dëmshpërblimit për të gjithë ata persona që nuk mundën të aplikonin në korrik dhe shkurt, banesat e të cilëve kishin pësuar dëme të shkallës DS1, DS2 dhe DS3 nga tërmeti i vitit të kaluar.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako tha ky vendim u mor pas kërkesave të shumta të qytetarëve, të cilat më pas Bashkia ia përcolli Ministrisë së Rindërtimit.

“Ne patëm shumë kërkesa drejtuar me shkrim në bashkinë e Durrësit. Nga qytetarë të ndryshëm të cilët gjatë kohës së pandemisë kanë qenë jashtë Shqipërisë dhe nuk kanë patur mundësi të jenë për të bërë aplikimet gjatë kohës që ne kemi bërë hapjen e programit. Të detyruar nga këto kërkesa kemi bërë një kërkesë drejtuar Ministrisë së Rindërtimit”, shprehet Sako.

Sa i përket nisjes së fazës së rindërtimit të objekteve të klasifikuara me dëme të shkallës DS4, kryebashkiakja e Durrësit tha se aktualisht 6 projekte janë gati për riforcimin e pallateve me dëme DS4 dhe sapo të hartohen edhe projektet e tjera do të kalohet në fazën tenderuese për përzgjedhjen e kompanive që do të kryejnë punimet.

“Kemi bërë aplikimin e parë në Ministrinë e Rindërtimit për 6 projekte, të cilat na janë konfirmuar. Po ecim me hartimin e projekteve të tjera. Jemi fokusuar në objektet të cilat kanë shumë familje, siç është objekti “Jedas”, objekti i Shkozetit, ish-URT, të cilat kanë pasur dëme të larta në muraturë.”, vijoi ajo.

Bashkia e Durrësit ka miratuar listën me 103 pallate nga 3 deri në 13 kate që kanë pësuar dëme nga tërmeti të klasifikuara në shkallën DS4. Për këtë qëllim është vënë në dispozicion fondi prej 281 milion lekësh për hartimine  projekteve të riforcimit të tyre.