Komisioni i Veprimtarive Prodhuese ka nisur diskutimin e ndryshimit të Kodit Rrugor sa i përket kohëzgjatjes së patentave, një iniciativë kjo e kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Por gjatë këtij diskutimi u hodh edhe ideja e ndryshimit të limitit të shpejtësisë në qytete ku propozohet të bëhet nga 40 km në orë në 30 km në orë dhe në autostradat që ofrojnë kushtet maksimale, shpejtësia maksimale të bëhet 130 km në orë nga 110 km në orë.

Diskutimi

Balla: Propozimet e mia janë një pjesë e disa çështjeve që në diskutimin e përditshëm ekzistojnë. Kemi trashëguar disa çështje që kanë qenë qëkur në Shqipëri kanë qenë kushte të tjera në infrastrukturë. Përcaktimin e limitit e shpejtësisë e bën Autoriteti Rrugor Shqiptar. Ne ta spostojmë këtë limit nga 110 km në orë në 130 km në orë. Jam dakord që në rrugët brenda qyteteve limiti 40 km në orë është shumë i lartë. Në qendër të Tiranës kemi pasur raste të aksidenteve rrugore për shkak të limitit 40 km. Trendi global është që brenda qyteteve të jetë limiti 30 km në orë.

Agron Duka: Cdo heqje e burokracive pritet pozitivisht. Nuk marr përsipër të them se sa duhet të jetë limiti i shpejtësisë por besoj se kjo duhet bërë me specialistë. Një gjë që gjithmonë e kam dashur ta diskutoj është që si ka mundësi që ne kemi në hyrje të Tiranës një rrethrrotullim të madh pavarësisht se rregulli thotë që duhet të dalë njëri nga rrethrrotullimi pastaj të hyjë tjetri. Çfarë na kushton ne të vëmë me 3 semafore. Ndoshta e kam gabim unë, por më duket katrahurë. A mund të rregullohet lëvizja në këtë rrethrrotullim?

Pëllumbi: Ne nuk përcaktojmë se ku do rritet shpejtësia, por i japim të drejtën Autoritetit Rrugor që shpejtësinë maksimale ta kenë 130 km në orë, por pastaj janë këta që e përcaktojnë se cilat janë ato rrugë. Sa i përket rrethrrotullimit, ajo i përket edukatës së shofereve.

Ardi Veliu (zv.ministër i Transporteve): Sa i përket rrethrrotullimeve, në Kodin Rrugor është e përcaktuar se ku dhe kur vendosen semaforët. Në rrethrrotullime, pavarësisht nga drejtimeve, lëvizja rregullohet me sinjalistikën horizontale dhe vertikale.

Helidon Bushati: Është nga të vetmet iniciativa që nuk ka pas interesat e një oligarku. Vetëm nëse keni në plan të jepni me koncension edhe policinë rrugore dhe të merrni interesa nga gjobat që do vendosen.