Avokatët kanë dalë në protestë ditën e sotme. Ashtu siç kishin paralajmëruar, ata u mblodhën për të protestuar kundër hartës së re gjyqësore.
Ndërsa kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatëve, Maksim Haxhia u shpreh se harta e re bie në kurriz të qytetarëve si dhe do të krijojë problematika shumë të mëdha.
“Në këtë tubim paqësor në heshtje kemi ardhur për të prezantuar në mënyrë finale qëndrimin tonë me hartën gjyqësore. Ne jemi krenarë për qëndrimin profesional që kemi mbajtur dhe me dinjitet në parashtrimin e të gjithë argumenteve tona. Nuk ndihemi aspak të humbur në aspektin që gjithë problematika dhe propozimet tona nuk u morën parasysh. Ajo që ishte për të realizuar, e realizuam dhe ia bëmë të qartë të gjithë opinionit publik shqiptar që kjo hartë gjyqësore do të bjerë në kurriz të xhepave dhe shqetësimeve e kohës së tyre tepër të vyer. Le të shërbejë ky tubim si thirrje e fundit për KLGJ dhe qeverinë që do jetë finalizimi i këtij vendimi për ta ri-parë edhe një herë. Ne i sigurojmë që kjo hartë gjyqësore do të krijojë problematika shumë të mëdha dhe nuk do të jetë e arritur sipas pretendimeve që ata kanë parashtruar. Tubimi jonë është një kulturë e lartë e demokracisë në Shqipëri”,-u shpreh Haxhia.