Mesditën e së enjtes, mes shumë pikave të tjera të rendit të ditës pritet të miratohet edhe buxheti i bashkisë Durrës për vitin 2021. Ky është viti i dytë rresht, që projekt buxheti pritet të kalojë pa kontestime, pasi votimet e Këshillit Bashkiak thuajse një ngjyrësh nuk kanë rezervuar deri më tani asnjë surprizë.
Nga një vëzhgim i shpejtë i buxhetit vihet re se ai, njësoj si edhe një vit më parë, kap vlerën rreth 2.9 miliardë lekë. Po ndërsa prioritetet e buxhetit të vitit të kaluar ishin përqendruar tek “Strehimi dhe komoditetet e komunitetit “ dhe “Arsimi”, vitin e ardhshëm është “Menaxhimi i mbetjeve” që merr shumën më të konsiderueshme, rreth 557 milionë lekë.
Rritja është vërtet shumë e konsiderueshme, po të kihet parasysh fakti se në vitin 2020 ishte planifikuar të shpenzohej për këtë zë të buxhetit rreth 378 milionë lekë, ndërsa faktikisht u shpenzuan rreth 405 milionë lekë. Diferenca është rreth 152 milionë lekë më shumë, ose rreth 19% e buxhetit vjetor do të shkojë për menaxhimin e mbetjeve.
DurrësLajm po publikon më poshtë tabelat me zërat kryesorë të buxhetit 2020 dhe 2021, ku dallohet qartë rritja e konsiderueshme si në grafikët respektivë, ashtu edhe në vlerat nominale.


VITI 2020 VITI 2021
Rritja e ndjeshme që pëson ky zë në buxhet nuk dihet nëse i korrespondon ndonjë investimi të fuqishëm të bashkisë për një qytet më të pastër, për kazanë plehrash të rinj, për shtimin e numrit të atyre ekzistues etj. 150 milionë lekë mund të jetë kosto shtesë që shkaktohet prej transportit të mbetjeve urbane të Durrësit tek inceneratori i Sharrës, Tiranë.

Në foto: Parashikimi i buxhetit pr vitet 2021, 2022, 2023 për menaxhimin e mbetjeve
Rritja e konsiderueshme e zërit “Menaxhimi i mbetjeve” parashikohet të jetë edhe më e lartë në vitet në vazhdim, në buxhetin afatmesëm, respektivisht vitet 2022 dhe 2023, kur pritet të arrijë vlerën 608 milionë lekë dhe 611 milionë lekë. Po të krahasohet me buxhetin e vitit 2019 (rreth 368 milionë), shifra thuajse dyfishohet në harkun kohor të 4 viteve. Durrësi nuk parashikohet të ketë një shtim të shpejtë të popullsisë, çka do të përkthehej në më shumë tonë plehra për t’u tërhequr. Nëse bëjmë krahasimin me parashikimin e buxhetit në fund të vitit 2019, rritja nga viti në vit (2020-2022) ishte thuajse e papërfillshme, jo më shumë se 3 milionë lekë në vit.
Në një shkrim të pak muajve më parë, BIRN shkruante se mbyllja e venddepozitimit të mbetjeve në Porto Romano do të sjellë një faturë mjaft të kripur për buxhetin e varfër të bashkisë Durrës.
“Për 5 vitet në vazhdim, Durrësi parashikon se evadimi i mbetjeve drejt Sharrës do t’i kushtojë 2.56 milionë euro në vit ose 14.195 milionë euro në 5 vite. Nëse këtyre kostove do t’u shtohet edhe tarifa e depozitimit të mbetjeve në Sharrë prej 29 euro/ton, bashkia e Durrësit duhet të paguajë çdo vit rreth 4.75 milionë euro për transportin dhe incenerimin e mbetjeve urbane -të cilat do t’i shtohen shpenzimeve aktuale prej 387 milionë lekësh për dy ndërmarrjet e shërbimeve komunale të bashkisë”,- shkruante BIRN.
Deri më tani, as bashkia e as qeveria nuk kanë dhënë asnjë detaj mbi marrëveshjen që pritet të lidhë bashkia Durrës me inceneratorin e Sharrës, ku depozitohen plehrat e qytetit bregdetar që nga muaji qershor, kur mbetjet “pushtuan” Durrësin për 1 javë me rradhë. Në atë kohë u deklarua se ishte gjetur një zgjidhje 6 mujore, gjatë të cilës bashkia do t’i depozitonte falas mbetjet në Sharrë. Sipas bashkisë së Durrësit, sasia e mbetjeve që evadohet çdo ditë nga qyteti është 206 ton ose 75,500 ton në vit. Nëse kostoja e depozitimit të mbetjeve, 29 euro për ton do të paguhet e gjitha nga bashkia, kjo do të çonte drejt falimentit buxhetin e qytetit.
“Se sa do të zgjasë ndërhyrja ‘misterioze” e pushtetit qendror për depozitimin ‘falas’ të mbetjeve të Durrësit në Sharrë është ende e paqartë. Megjithatë, kur ‘dreka falas’ nga koncesionari të mbarojë, kostot që do të paguhen nga qyteti i Durrësit mund të jenë po aq shkatërrimtare sa tërmeti”,- mbyllte BIRN shkrimin e pak muajve më parë.





