Në rreth 48 orë, përgjatë të premtes dhe të shtunës së javës së kaluar, banorët e Durrësit dhe rrethinave u dyndën para Prefekturës për të aplikuar për përfitimin e grantit të dëmshpërblimit për pasojat e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
“DurrësLajm” mëson nga burime të besueshme se në vetëm 48 orë janë realizuar rreth 6000 aplikime, një shifër rekord kjo, duke pasur parasysh faktin se përgjatë muajit shkurt, kur qëndroi i hapur aplikimi për 28 ditë, atij ju bashkuan rreth 12 mijë qytetarë.
Shifra mjaft e lartë e aplikimit të fundit është dëshmi e faktit se pavarësisht 2 aplikimeve të mëparshme (shkurt dhe korrik), proces prej të cilit kanë përfituar rreth 10.700 familje, ende mijëra të tjera nuk kanë përfituar grantet për dëmtimet DS1, DS2 dhe DS3 në banesat e tyre.
“DurrësLajm” ishte i pari që njoftoi ditën e enjte për rihapjen e aplikimeve për grantin e dëmshpërblimit, pasi ashtu si edhe në muajin korrik, mungoi njoftimi zyrtar nga ana e institucioneve qendrore dhe lokale. Ditën e premte dhe të shtunë të javës së kaluar, me mijëra qytetarë u dyndën para Prefekturës, duke mos zbatuar asnjë protokoll sigurie anti-covid.
Ndryshe nga skepticizmi i muajit shkurt, kur shumë qytetarëve ju duk një procedurë burokratike plotësimi i aplikimit, tani të gjithë e dinë që nëse aplikon dhe emri të miratohet në Këshill Bashkiak mund të përfitosh shumën 100 mijë, 250 mijë apo 500 mijë lekë të reja, në varësi të dëmit të shkaktuar në banesë.
Verifikimi i dokumentacionit të rreth 6000 aplikuesve do të marrë kohë dhe lista paraprake me emrat e përfituesve, nuk pritet të kalojë në Këshill Bashkiak brenda këtij viti. Pasi të bëhen verifikimet përkatëse në Kadastër, për të gjithë aplikuesit do të vijohet me përpilimin e listës dhe paraqitjen e saj në Këshill Bashkiak. Eksperienca e dy aplikimeve të mëparshme ka treguar se jo të gjithë aplikuesit e përfitojnë dëmshpërblimin, pasi mungesat në dokumentacion, të qënit shtetas i huaj apo të qënit pronar i dy shtëpive janë kritere përjashtuese. Por, pavarësisht skualifikimit, qytetarët kanë pasur të drejtën e apelimit dhe shumë prej tyre e kanë përfituar dëmshpërblimin në një kohë të mëvonshme.
Njëkohësisht, pavarësisht dëmeve të mëdha të pësuara, qeveria Rama u erdhi në ndihmë vetëm qytetarëve me dëmtime në banesa në shkallën DS1, DS2 dhe DS3, ndërsa bizneset kanë qenë të përjashtuara nga përfitimi i grantit të dëmshpërblimit.
Përveç përfitimit të grantit, banorët e pallateve me dëmtime DS1, DS2 dhe DS3 po përfitojnë gjatë këtyre dy muajve të fundit edhe riparimin e fasadave dhe ambienteve të përbashkëta, proces që pritet të mbyllet në muajin shkurt të vitit të ardhshëm. Janë gjithsej 615 pallate në Durrës që do t’i nënshtrohen procesit të riparimit, nga të cilat rreth 200 kanë përfunduar tashmë.
Ndërkohë më të penalizuarit mbeten banorët që po kalojnë dimrin e dytë në çadra (rreth 1000 familje), pasi shtëpitë e tyre ende nuk janë rindërtuar, si dhe familjet që jetonin në 123 pallate me dëmtime DS4, për riforcimet e të cilave ende nuk është hapur drita jeshile.
Janë rreth 4800 familje të Durrësit që vazhdojnë trajtohen me bonus qiraje, deri në riforcimin apo rindërtimin e banesave të tyre.
M.B.





