Emrat e tyre mburojë lavdije e trashigimisë
-Shkas një foto e shkurtit të vitit 1958
-Krenar për protogonistët e sporteve
-Mburrja nis që në rininë e tyre, e më pas në epilog
-Do t’i kujtojmë, pasi kuptojmë se cilët jemi
-Punuan dhe u përpoqën aq sa meritojnë të paharruarën
-Individë të gjithanshëm, me autoritetin e burrave me peshë
-Kujtesë, mirënjohje, respekt do të kenë “sot dhe mot”
Nga BUJAR QESJA
Surpriza e arkivave të hershme, më ofori një pamje që më befasoi. Nuk mund ta anashkaloja këtë pamje të rrallë. Është e shkurtit 1958, 64 vite të shkuara. Është një ndeshje basketbolli, luajtur nga gjigandë të atij brezi tronditës të viteve 50-të, siç ishin formacionet e “Partizanit” dhe “Vllaznisë”. Nga “Partizani” shënoj Hercekun, Teneqexhiun, Konën, Lleshin dhe Përmetin, ndërsa nga “Vllaznia” Shatkun, Ademin, Osmanin, Harxhin dhe Sokolin.
Në dy qoshet e fotos janë ato që na takojnë ne, janë ato që e nxisin këtë shkrim, janë historia e pandryshkuar e sporteve të Durrësit. Janë dy emra të mëdhenj, si vetë lavdia që lanë pas Kristaq Bekridheli dhe Dilaver Cara. Doja t’i veçoja në portretizim, por ja që kjo foto mahnitëse m’i bashkoi dhe pas kësaj edhe po i trajtoj si dy vëllezër siamezë. Kjo foto më dha oreksin, për të shkundur memorien e fletët e shënimeve të zverdhura, e për të vrapuar tek hisotria e dy prej personaliteteve të bujshme të sportit durrsak.
Kristaq Bekridheli! Dilaver Cara! Emra që fjalën të artë e kanë brenda, kjo për shumë arsyje. Sportistë, gjyqtarë, trajnerë, mësues të edukimti fizik, kuadro drejtues, veprimtarë shoqërore të rangjeve superiore, studiues madje edhe të kulturës, e çfarë e çfarë nuk kanë qenë, e çfarë e çfarë nuk kanë bërë. Lapsi im dridhet kur shkruan emrat e tyre. Zemra lëviz kur njihesh me jetën dhe përvoja 50 e ca vjeçare në fushën e letrave, është e pamjaftueshme për të thënë se cilët janë ata: Kristaq Bekridheli dhe Dilaver Cara.
Këtu në pamje i kemi gjyqtarë basketbolli. Emri i Kristaqit ishte përmbledhur kryesisht tek noti dhe i Dilaverit tek volejbolli. Dhe përpos këtyre ishte e padiskutueshme pozicioni i avantazhuar si kuadro të zot, me aftësi mahnitëse në organizim, kulturë dhe edukim.
Kristaq Bekridheli i lindur me 1 qershor të vitit 1929, e sosi frymëmarrjen me 8 prill të vitit 2014, duke realizuar iventarin jetësor në 88 vite. Varri i tij është në Gjenova të Italisë, pranë dy binjakeve historike Violës dhe Valbonës dhe dy djemve Jorgjit dhe Lorencit. Por vendqendrimi i përjetshëm i Kristq Bekridhelit, është në kujtesën e durrsakëve. Ai në Durrës nisi faqen e parë të librit gjigand të jetës, të punës dhe arritjeve më të ndjeshme dhe sukseseve më të spikatura. Ky shkrim, a është kujtesë për të? Reagimet e durrsakëve, a janë mosharresë për të? Jeta sportive dhe enciklopedike, a është investim i patjetërsueshëm në breza e breza të rinisë së këtij qyteti me histori?
Kristaqi në cilësitë e tij, në ato që zotëroi dhe manifestoi, absolutisht se ngutem nëse e vendos gjykimin tim si të palëkundur. Ka një të dytë si Bekridheli ynë, që ka trajtuar në një formë a në një tjetër atletikën, boksin, mundjen, basketbollin, volejbollin, notin, çiklizmin, futbollin, hendbollin, vaterpolin, kanotazhin etj.? Ka trajner si Bekridheli që ka ushtruar këtë detyrë në not, volejboll, atletikë, sportet e rënda, që të ketë nxjerrë kampionë, mjeshtre dhe rekordmene si dy binjaket Viola dhe Valbona straordinario?
Gjyqtar si ai gati në të gjitha llojet e sporteve, ku ka shkëlqyer na atletikë dhe not, jam i sigurintë që nuk kemi.
A mund të gjendet një poliglot kaq fuqiplotë, me zotërimin e 8 gjuhëve të huaja si ai? Dhe si enciklopedist mbetet padiskutim pa të dytë veç të parit që është ai, pasi është këngëtar (tre herë ka fituar në Itali konkursin si zëri më i mirë), balerinë, recitues, krijues vargjesh dhe në prozë, kritikë sporti dhe në letërsi, drejtues ansambli, formulime filozofike, hartues i historisë së notit shqiptar, autor i artikujve dhe studimeve sportive etj.
Vajza e tij Viola, është Presidente e Shoqatës së Notit në Gjenova, është profesore dhe doktore . Dhe ajo që e gjallëron edhe në varr Kristaq Bekridhelin, është marrja nga Viola e titullit të lartë “Kalorëse e Sportit”. Ajo e ka marrë këtë titull , dhënë nga presidenti Xhorxho Napolitano, për ndihmesën e dhënë popullit italian në zhvillimin e sporteve të notit.
Oponioni sportiv dhe qytetar, e ka quajtur Kristaq Bekridhelin si babai i notit dhe shkencëtarin e sporteve. Ka përfaqësuar Durrësin, në organet e zgjedhura më të larta sportive në Shqipëri në vitet e para pas çlirimit. Personalieti i Kristaq Bekridhelit na bën nder, pasi kudo që dha potencialin e tij fizik dhe mendor, kudo që shkoi dhe konkuroi, kudo ku manifestoi performancën e tij mjeshtërore, ishte dhe u bë në emër të qytetit të tij, të Durrësit aq të dashur për të, deri në minutat para se të mbante frymën. Emër i madh, peshë e rëndë.
Dilaver Cara! Emër i famshëm, me histori përpjekjesh për identitet dhe vijueshmëri traditash. I përfshirë që në fillim, në forume zyrtare dhe me peshë në sportet kombëtare. Ai u lind me 30 shtator 1929 dhe u nda nga ne me 15 korrik 2006. Segmenti jetësor 76 vite. Segmenti kohor i kujtesës pa limit. Pasi ka ushtruar më parë shumë lloje sporte, atletikë, volejboll, basketboll, hendboll etj, trajner, kuadër i edukimit fizik, drejtues i klubit sportiv “Lokomotiva”, mbetet i pakonkuruar në fushën e gjykimit.
Dilvar Cara gjyqtar basketbolli që publikohet në këtë pamje, krijoi kult si gjyqtar i volejbollit. Emër i madh i rrjetës. I disiplinuar si durrsakët, i paanshëm dhe i ndershëm si durrsakët, i pakompromis si durrsakët, i aftë dhe punëtor si durrsakët, Dilaver Cara ia ngriti shumë stekën volejbollit shqiptar si gjyqtar. Ai gjykoi edhe ndeshje ndërkombëtare, ku si gjyqtar i këtij niveli mori pjesë në kampionatin botëror të Moskës në vitet 60-të. Preku tokën e ndaluar të Izraelit në vitin 1963, ku drejtoi një ndeshje ndërmjet dy klubesh të huaja. Vlerësimi: nderues dhe krenar për sportin tonë, por edhe për Durrësin që përfaqësonte.
Personaliteti i Dilaver Carës, pasqyrohet gjërësisht në qytetarinë durrsake. Ai mbeti një veprimtar aktiv i Shoqatës së mirfilltë “Durrësi”, duke u përpjekur për të nxjerrë në pah vlerat e jashtëzakonshme të kulturës dhe mënçurisë durrsake. Si mësues fizkulture nxënësit linin kokën për të, si sportist përfaqësimi cilësor i klubit “Lokomotiva”, si trajner fidanishte e ardhshmërisë në sporte, si gjyqtar nderi dhe krenaria e jonë.
Kristaq Bekridheli dhe Dilaver Cara, është nga dyshet më të spikatura të organizimit dhe drejtimit të sporteve në Durrës, peshë e qenësishme e zhvillimit dhe përparimit të tyre. Piedestali për ta mbetet gjithnjë i ngritur, pasi ashtu lart vlerësohet mundi dhe mjeshtëria e tyre, për t’ia rritur namin e mirë Durrësit në konkurime. Finesë, kulturë, komunikim xhentëllmenësh, tek Kristaqi dhe Dilaveri rrihnin zemrat vetëm për Durrësin e tyre, duke i dhënë shumë, duke u munduar shumë, e duke mos kërkuar asgjë nga ajo që edhe mund t’u takonte.
22 vite pa Dilaver Carën. Ndërsa Kristaqi, na mungon prej 8 vitesh. Por sytë e mëndjes nuk humbasin për ta, ashtu sikundër nuk humbet ajo mrekulli e një pune të jashtëzakonshme, që kryen me sportet në Durrës dhe jo vetëm.
Një foto si gjyqtar basketbolli, në drejtimin e një ndeshje me peshë na provokoi kujtesën. Dhe pas kësaj, Kristaq Bekridheli dhe Dilvaer Cara janë bashkuar në vëndin e kujtesës, në atë kujtesë që është kthyer në detyrim për çdo durrsak.
Njerëzit nuk ju harrojnë, pasi ajo që kryet në të gjallë, mbetet kurdoherë nota më e shkëlqyer e përkushtimit të skajshëm, ku qytetaria durrsake ju ka dhënë bekimin e merituar.
Durrës: 27 korrik 2022