Kryeministri hungarez Viktor Orban u tha gazetarëve të enjten se Ukraina nuk mund ta mposhtë dot Rusinë me strategjinë aktuale të mbështetjes së NATO-s, ndërsa paralajmëroi gjithashtu për pasoja të tmerrshme për ekonominë evropiane.

“Kjo luftë në këtë formë nuk mund të fitohet,”-tha Orban, duke folur së bashku me kancelarin austriak Karl Nehammer në Vjenë. Orban shtoi se strategjia e vendeve të NATO-s për të mbështetur Ukrainën me armë dhe stërvitje “ka treguar deri më tani se nuk do të çojë në sukses”.

“Pa ndryshuar strategjinë, nuk do të ketë paqe. Nuk është e qartë se si mund ta shmangim recesionin në BE nëse lufta vazhdon,”- tha ai për CNN, duke paralajmëruar se, pa paqen në Ukrainë, i gjithë Bashkimi Evropian do të shtyhet në një situatë lufte. Të dy udhëheqësit paralajmëruan kundër mundësisë së një embargoje nga Bashkimi Evropian ndaj gazit rus.

“Ka shumë njoftime nga Komisioni i BE-së, por shumë pak janë duke u zbatuar”, tha ai, në lidhje me veprimin e BE-së për krizën energjetike, duke shtuar se nuk ka asnjë shenjë të zbatimit të platformës së përbashkët të blerjes së gazit që u propozua nga Komisionit të BE-së.

Ai tha se duke pasur parasysh presionet aktuale në tregun e energjisë, kjo platformë e përbashkët do të ishte më e rëndësishme se kurrë.