Policia e Tiranës ka vënë në pranga 52-vjeçarin Ilirjan Merkuri i cili tregtonte medikamente mjekësore kontrabandë. Po ashtu, është proceduar në gjendje të lirë një grua e cila blinte ilaçet tek personi në fjalë.

“Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: 

– I. M., 52 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”. 

Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasja M. G., 47 vjeçe, banuese në Tiranë”.

Këta persona u kapën në flagrancë në rrugën “Medar Shtylla”, gjatë momentit që shtetasja M. G. po i blinte një sasi medikamentesh shtetasit Ilirjan Merkuri.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Merkurit, në Komunën e Parisit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, pa pullën fiskale nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan medikamente të ndryshme mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, dhe një shumë parash.  Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.